Bayern Munich, superfuqia gjermane i ngjall frikë kujtdo. Ja numrat e “anijes luftarake” të Flick

22 Shkurt 2021
10:40
Alfred Lleshi
back button

Sa i frikshëm është Bayern Munich? Duhen disa numra për ta përshkruar më së miri “anijen luftarake” të Flick. Lazio e gjen veten përpara ekipit më të fortë në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Short më të keq nuk mund të kishte për bardhekaltrit. Bavarezët janë fituesit e rinj të Botërorit të Klubeve, finalet e të cilit u luajtën në Katar. Titulli i gjashtë i fituar në më pak se një vit, pas Bundesligës, Kupës së Gjermanisë, Ligës së Kampionëve, Superkupës Europiane dhe Superkupës së Gjermanisë. Gjashtë trofe, si super Barcelona e pep Guardiolës. “Palmaresi” i vitit të fundit i trofeve është i mjaftueshëm për t’i ngjallur frikën kujtdo.

Bavarezët fituan Ligën e Kampionëve të fundit me një ecuri të pabesueshme: 11 suksese radhazi, vetëm një barazim në Madrid, kundër Atletico, me kualifikimin tashmë në xhep. Gjithsej: 16 fitore në 17 ndeshjet e fundit. Humbja e fundit ishte e datës 13 mars 2019, 3-1 kundër Liverpool. Në kampionat, këtë sezon, ata kanë humbur tri herë: me Eintracht, Borussia Mönchengladbach dhe Hoffenheim. Sulmi bavarez është atomik: 61 gola. Mbrojtja mbase për t’u rishikuar: 31 gola të pësuar në 22 ndeshje. Kjo përbën një dritare mundësie për Lazion.

Nëse Bayern Munich mund të përshkruhet si një “luftanije”, përpara ka një bomber si Robert Lewandowski. Arma shtesë e një ekipi, që shënon shumë. Polaku është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve të fundit, me 15 gola në 11 ndeshje. Ai ka 71 gola në 94 paraqitje në Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar garoi për “Këpucën e Artë” me Immobile, këtë vit duket se nuk ka asnjë rival në këtë drejtim. Në Bundesliga ka realizuar 26 gola në 21 ndeshje dhe ka dhënë 6 asiste. Në Europë ka shënuar 4 gola në 3 ndeshje. Duket qartë se Bayerni do të mbështetet tek ai për ta shkatërruar mbrojtjen e Lazios.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit