Bayerni ka gati 60 deri në 70 milionë euro për yllin e “Djallit”, por rrezikojnë të mos mjaftojnë

6 Mars 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Tregu i transferimeve të verës tashmë po fillon, me disa emra të mëdhenj që po përgatiten “të kërcejnë me melodinë” që do të na shoqërojë gjatë merkatos së ardhshme. Protagonist i madh padyshim që do të jetë Mbappe, por ka edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, mbi të cilët tashmë kanë filluar të bien “sirenat”.

Njëri prej tyre është Alphonso Davies, objektiv i madh veror i Real Madridit. Në rast të humbjes së anësorit kanadez, kontrata e të cilit skadon më 2025, Bayern Munich do të duhet ta zëvendësojë atë me një lojtar të nivelit të lartë. Emri më i lakmuar është Theo Hernandez, anësori i Milanit.

Mbrojtësi i majtë francez, kohët e fundit festoi 200 ndeshje me kuqezinjtë. Duke komentuar këtë “jubile”, ai bëri edhe një urim: “Dua t’i falënderoj të gjithë, jam shumë i lumtur për 200 ndeshjet në këtë klub madhështor. Shpresoj të luaj edhe shumë ndeshje. Forza Milan”.

Në orët e fundit ka ardhur konfirmimi nga Gjermania për interesimin e Bayernit. Besohet se shuma e mjaftueshme për ta rrëmbyer nga Milani është nga 60 deri në 70 milionë euro. Një shumë që, megjithatë, mund të mos jetë e mjaftueshme për të fituar një mbrojtës me shifra rekord.

Kujtoni se që kur mbërriti te Milani në verën 2019, francezi ka shënuar 28 gola mbresëlënës dhe dhënë 37 asiste. Numra prej mesfushori ose sulmuesi, që do ta shtyjnë Milanin të kërkojë shifra më të mëdha se sa flitet nga Gjermania.

Duke marrë parasysh se verën e kaluar, Newcastle iu desh të hidhte në tavolinë rreth 80 milionë euro për të rrëmbyer Tonalin nga “Djalli”, ideja është se për të bërë të njëjtën gjë me Theo Hernandez, duhet të paktën një shumë e ngjashme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit