Befasohet Barcelona, një ekip tjetër tundon De Ligt

17 Maj 2019
15:55
Denis Hakanaj
back button

Matthijs De Ligt dukej se do të ishte blerja e radhës e madhe e Barcelona-s nga Ajax-i pas Frenkie De Jong, por katalanasit mund të befasohen nga Manchester United. 

Javën e kaluar, e përditshmja katalanase "Mundo Deportivo" ka bërë të ditur se Barcelona dhe Aja x-i po punonin për të arritur një marrëveshje për yllin 19-vjeçar. Pak ditë më pas, kanali televiziv katalanas "Esport 3" ka zbuluar se menaxheri i lojtarit, Mino Raiola, është takuar me përfaqësuesit e klubit spanjoll në Montekarlo 12 prillin e kaluar për të arritur një marrëveshje për kontratën e mbrojtësit holandez. 

Pavarësisht nga kjo, "Telegraph" ka bërë të ditur këtë të premte se lojtari është i tunduar nga një transferim te Manchester United, edhe pse klubi nuk do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Duke u bazuar te disa burime afër futbollistit, "Telegraph" ka shkruar se De Ligt është i tërhequr nga ideja për të qenë një figurë qendrore në rindërtimin e "Djajve të Kuq", të cilët e shohin atë, ashtu si edhe Kalidou Koulibaly të Napoli-t, si zgjidhjen ideale për problemet në mbrojtje.   

Përveç kësaj, United mund t'i ofrojë holandezit një kontratë më të pasur se Barcelona, që, pas 86 milionë eurove të paguara për Frenkie De Jong në janar, tani duket se do të shpenzojë edhe 120 milionë euro për të siguruar Antoine Griezmann. 

De Ligt, i cili kërkohet nga pothuajse çdo klub i madh i Europës, pritet të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas ndeshjeve të Nations League që Holanda do të luajë në qershor. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit