Befason Bayern, ja kur zgjidhet pasuesi i Niko Kovac!

5 Nëntor 2019
11:51
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, tha se kampionët e Bundesligës do të mësojnë më shumë për zëvendësuesin e Niko Kovac në tri javë. Kujtojmë se trajneri kroat u shkarkua pas humbjes poshtëruese 5-1 të së shtunës së kaluar ndaj Eintracht Frankfurt. Ai i la bavarezët në vendin e katërt të Bundesliga, me katër pikë larg kreut. Largimi i dha fund drejtimit 16-mujor të Kovac, i cili fitoi kampionatin në sezonin e kaluar dhe “DFB-Pokal”, para se të niste këtë sezon. Hans Flick është vendosur si trajner i përkohshëm për ndeshjen e së mërkurës në Champions, kundër Olympiacos, dhe përplasjes së ethshme të së shtunës në Bundesliga, me Borussia Dortmund. 

Pas këtyre dy angazhimeve, pushimi ndërkombëtar (kualifikueset e kombëtareve) do të ketë një pushim në orarin e klubit bavarez, kohë kur pritet të caktohet edhe trajneri i ri. Pra, gjasat janë që zgjidhja përfundimtare për stolin bavarez të debutojë më 23 nëntor, kundër Fortuna Dusseldorf. I pyetur në lidhje me çështje, presidenti Hoeness iu tha gazetarëve: “Gjithçka është thënë tashmë në lidhje me këtë temë. Personalisht mendoj se deklarata jonë për shtyp ishte shumë e detajuar. Unë nuk mund të them se çfarë do të ndodhë javët e ardhshme. Tani për tani nuk është aq e rëndësishme, pasi kemi tri javë përpara për t’i shqyrtuar gjërat se si do të veprojmë. Mendoj se kemi bërë mirë”.

Po si u ndanë me trajnerin kroat? Presidenti Hoeness u përgjigj: “Ne kemi pasur gjithmonë një raport të mirë me Niko Kovac. Kemi arritur një marrëveshje të ndërsjellë. Kam pasur një telefonatë me të sot, gjithçka është në rregull. Kuptova se tani është i lirë nga një presion i madh”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit