Befason Shkëmbi: Laçi e kishte përgatitur ndeshjen më mirë se ne…

23 Tetor 2019
15:15
Alfred Lleshi
back button

Bledi Shkëmbi dhe skuadra e tij “thyejnë kokën” në Laç. Një disfatë e thellë, 3-0, duke pasur parasysh se flitej për kryesuesit e Superiores. Tre gola të pësuar dhe asnjë i shënuar janë pasqyra më e plotë e zhgënjimit total të Teutës në këtë transfertë. Trajneri Bledi Shkëmbi ka pranuar ditën e keqe të të tijve: “Kundështari luftoi më shumë dhe e kishte përgatitur ndeshjen më mirë se ne. Unë vazhdoj të kem shumë besim te skuadra. Të gjithë lojtarët bëjnë gabime, por përgjegjësia është e imja, pasi jam trajneri dhe duhej ta kishim përgatitur ndeshjen më mire. Këtu e kam fjalën për anën psikoligjike dhe taktike.

Kishim punuar në stërvitje për mënyrën si duhej ndalur Nuabeze, por ai na shënoi dy gola. Kjo ndodhi për gabimet tona dhe për meritë të kundërshtarit. Humbja është e hidhur, por kampionati nuk mbaron këtu. Të nxjerrim mësimet e duhura dhe ta përgatisim si duhet ndeshjen e radhës. Në situata të vështira janë lojtarët lider, që e ndihmojnë skuadrën. Ne i kemi këta lojtarë, por sot nuk dolën në pah. Le të themi që ishte një ditë e keqe për të gjithë ne. Gabimet ndodhin në futboll, por duhet të reagosh. Këtë nuk e bëmë ndaj laçit në asnjë moment, ndaj jam i shqetësuar. Pres reagimin e duhur që në ndeshjen e radhës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit