Befason Toure: Po të isha në vend të Pep, do të isha i lumtur

14 Nëntor 2019
15:30
Denis Hakanaj
back button

Sherri i zhvilluar në kombëtaren e Anglisë mes sulmuesit të City-t, Raheem Sterling, dhe mbrojtësit të Liverpool-it, Joe Gomez, po shkakton shumë diskutime. Arsyeja e përplasjes ka qenë rivaliteti në Premier League mes Të Kuqve dhe Qytetarëve, me këta të fundit që janë mundur fundjavën e kaluar në Anfield.  

Sulmuesi anglez është ndëshkuar me përjashtimin nga ndeshja e   kombëtares së Tre Luanëve kundër Malit të Zi, ky ka qenë vendimi i trajnerit Southgate. Një vendim që është pranuar nga lojtarët, por që ka shkaktuar disa pakënaqësi.

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe ish-mesfushori i Manchester City-t, Yaya Toure, i cili ka kritikuar vendimin e trajnerit Southgate. “Mendoj se njerëzit po reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar, sepse janë gjëra që mund  të ndodhin në stërvitje”, ka thënë afrikani për Sky Sports.  

“Sterling dhe Gomez kanë qenë përballë njër-tjetrit në sfidën e së dielës. Pas pak orësh janë takuar në kombëtare. Mund të ndodhë, unë dhe vëllai im zihemi, diskutojmë. Trajneri nuk duhej të kishte marrë asnjë masë. Kjo i bën keq mentalitetit të lojtarit”.

“Guardiola mund të jetë pak i zhgënjyer nga Southgate. Raheem është akoma i ri dhe do të mësojë. Nëse një lojtar i imi do të sillej në këtë mënyrë, duke treguar zemërim për humbjen e pësuar, unë do të isha i lumtur”.

“Kjo do të thotë se ai ka dëshirë të fitojë gjithmonë. Kjo është e rëndësishme. Një lojtar që nuk ka një karakter të tillë, nuk është një gjë e mirë. Kjo është arsyeja pse mendoj se përjashtimi i tij ka qenë një budallallëk”.

“Raheem është një nga lojtarët më të mirë të Anglisë  në këtë moment. Mendoj se Harry Kane nuk po kalon momentin e tij më të mirë, ndërsa Sterling po. Është lojtari më i mirë i anglezëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit