Bëri “kurban” Partizanin, flet Martini: Jemi më mirë se sezonin e kaluar

11 Shtator 2021
8:55
Alfred Lleshi
back button

Teuta ka ndryshuar shumë në përbërje, krahasuar me grupin që doli kampion sezonin e kaluar. Megjithatë, trajneri ka mbetur i njëjti, Edi Martini. Shkodrani e nisi kampionatrin e ri me fitore ndaj Partizanit, një rivali kryesor për trofe. Pas ndeshjes së zhvilluar në “Elbasan Arena”, ai tha për “Supersport”:

“E kam thënë gjithmonë që arma më e fortë e Teutës është grinta dhe dëshira për të fituar. Ky ekip ka autoritet prej kampioni, të cilin e shfaqi edhe në fushë. Megjithatë është ende herët për të bërë gjykime.

Morëm tri pikët, por vuajtëm jo pak ndaj Partizanit, ndaj besoj se kemi ende punë për të bërë në aspektin e menaxhimit të lojës. Gjithsesi, ishte ndeshja e parë dhe rëndësi kishte që ta nisnim mbarë, duke marrë tri pikët.

Sjellja me arbitrat? Është një aspekt për të cilin ne flasim shpesh, por Aleksi ka këtë temperament dhe e vuajmë jo pak edhe në stërvitje. Ai jep maksimumin dhe e përjeton në mënyrë të atillë futbollin, ndaj e ka të vështirë të kontrollojë emocionet. Sa i përket Kallakut, atij i takon, pasi është kapiteni i skuadrës dhe duhet të jetë aty për të folur me arbitrin. Gjithsesi duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.

Në krahasim me sezonin e kaluar, mendoj se jemi më mirë, pasi kemi ndryshuar në qendër të mbrojtjes, por edhe më lart. Ka ikur Bregu, por ka ardhur Kallaku. Kemi ende edhe Vilën të dëmtuar, që e presim të rikthehet, por edhe Acquah, një element mjaft i rëndësishëm. Problemi i vetëm është që të rinjtë kanë ardhur rishtazi dhe duhet ende pak kohë që të bëhen pjesë e grupit.

Georgiev? Është një lojtar mjaft i mirë, që punon shumë dhe vrapon gjithashtu shpejt, ndaj do të jetë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Sidoqoftë, kemi edhe alternativa të tjera.

Tërheqja pas? Goli na imponoi të rrinim pak më poshtë, megjithatë gabuam edhe disa pasime të shpejta, duke humbur mundësinë për të dalë në kundërsulm. Vlen të theksohet se edhe loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit