Berisha: Ndeshja e nesërme si ajo ndaj Serbisë. Fatkeqësi, dëmtimi i Gjimshitit

11 Tetor 2021
13:37
Alfred Lleshi
back button

Etrit Berisha qëndron me këmbët në tokë. I sheh të mundshme të trija rezultatet në ndeshjen e nesërme ndaj Polonisë. Beson shumë se mbështetja e tifozëve kuqezinj do të jetë e madhe, ndërsa për nga rëndësia e krahason përballjen e nesërme me atë kundër Serbisë në Beograd dhe Norvegjisë. Kapiteni i kombëtares nënvizoi në fjalën e tij:

“Jemi të vetëdijshëm që mund të bëjmë diçka të madhe, që nuk e kemi arritur më herët. Çdo ndeshje e mbetur në këto kualifikuese do të jetë më e vështirë. Në sfidën e radhës, presioni është mbi Poloninë. Ne duhet ta heqim ngarkesën psikologjike nga supet. Në kualifikuese shkojmë ose jo, nuk ka të mesme. Shpresojmë që nesër të bëjmë më të mirën.

Presioni i një “finaleje”? Patjetër që kemi, por mjafton të japim gjithçka nga vetja. Të gjitha rezultatet janë të mundshme në futboll. Me rëndësi është të fokusohemi te gjërat që na thotë trajneri. Kundër Polonisë zhvilluam një ndeshje të bukur, edhe pse humbëm thellë. Rezultati nuk i përgjigjet kurrsesi lojës.

Kishim mundësi t’i shmangnim golat e pësuar. Kemi kualitete në kombëtare dhe mund të zhvillojmë ndeshje të mirë nesër. Kemi edhe mbështetjen e tifozëve dhe, siç e thashë më parë, nuk kemi pse të kemi presion.

Përballë Lewandowskit dhe pa Gjimshitin? Berati është lojtar kyç për ne. Ka bërë mirë me fanellën kuqezi edhe tek Atalanta. Na ka ndodhur një fatkeqësi me dëmtimin e tij. Veseli ka bërë mirë si zëvendësues i tij. Skuadra do të jetë kompakte dhe ata që do luajnë, me siguri do bëjnë mirë.

Lewandowski është një ndër sulmuesit më të mirë në futboll, duhet ta neutralizojmë si ekip. Me kë ngjan kjo ndeshje? Ka disa, si ajo me Norvegjinë ose Serbinë. Jemi të vetëdijshëm për këtë gjë, ta marrim me qetësi, sepse po luajmë me një ekip të madh. Edhe nëse humbasim nuk do të jetë fundi i botës.

Rreziku nga goditjet standarte? Jemi munduar të ushtrohemi, fakt është se polakët na mundën nga goditjet standarte. Edhe në Hungari u trnditëm nga një shtyllë. Më shumë është punë përqendrimi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit