Berlusconi “bekon” titullin e Milanit: E meriton, pastaj do ta sfidojë… Monza ime

18 Maj 2022
14:08
Alfred Lleshi
back button

Nga njëra anë Monza e tij, nga ana tjetër dashuria e madhe për Milanin. Do të jetë një e diel ankthi edhe për Silvio Berlusconin, i cili fillimisht do të zbulojë verdiktin e fushës në ndeshjen e titullit mes kuqezinjve dhe Interit.

Më pas ai do ta transferojë vëmendjen te bardhekuqtë e tij, që do të sfidojnë Brescia në gjysmëfinalen e kthimit të ‘play off’-it për t’u ngjitur në Serie A. Pavarësisht të gjitha mendimeve të ‘Kavalierit’, ai nuk mund të mos shkojë në Milano për titullin që i mungon prej 11 vitesh.

I pranishëm në Arcore, ku do të organizohet samiti i qendrës së djathtë, Berlusconi nuk u frenua, duke dhënë parashikimin e tij për finalen e sezonit: “Zemra ime milaniste mund të shpresojë vetëm për titullin e Milanit, që për mendimin tim e meriton edhe për lojën e zhvilluar gjatë gjithë kampionatit”.

Më pas, ish-kryeministri italian ndaloi te Monza e tij: “Më e rëndësishme për mua është që Monza të fitojë ‘play-off’ dhe të jetë në gjendje të luajë në Seria A. Atje do ta sfidojë Milanin”.

Edhe sfidanti i madh i tij zikaltër, gjatë kohës kur ishin pronarë të dy klubeve milaneze, Massimo Moratti, ka folur në lidhje me luftën për titull të Serie A, që do të mbyllet këtë fundjavë. Në një intervistë të dhënë për “Adnkronos”, ai ka thënë:

“Duhet të them se është e vështirë, por në futboll gjithçka bëhet e mundur, mrekullitë mund të ndodhin gjithmonë. Ajo që duket e vendosur dhe e sigurt, mund të përmbyset në një moment. Ne na ka ndodhur disa herë, edhe pse janë më shumë herët që gjërat na kanë shkuar mirë.

Janë dy skuadra të mëdha, por mund të bjerë shi si në Perugia ose të ndodhë ajo që na ndodhi ne atë 5 majin e mallkuar. Ndoshta 22 maji mund të kthehet në 5 majin e kuqezinjve. Janë dy skuadra të mëdha, kanë bërë një kampionat të bukur.

Sigurisht, për ne nuk është e lehtë, por unë besoj se kemi mundësinë ta fitojmë titullin. Mungon një ndeshje në të cilën mund të ndodhë gjithçka dhe në futboll, mund të duket një frazë banale, gjithçka është e mundur. Të shikojmë dhe të shpresojmë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit