Skuadra e Besëlidhjes është shpallur fituese e Kupës së Federatës në basketboll për meshkuj. Lezhjanët fituan 100-86 ndaj Tiranës në finalen e luajtur në mjediset e akademisë “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Një fitore që kishte shijen e hakmarrjes për lezhjanët, pas titullit kampion të humbur 4 muaj më parë. Një fitore e merituar për skuadrën e trajnerit Bilali, që erdhi vetëm në minutat e fundit, pas një ndeshje të ekuilibruar.
Të dyja ekipet dhuruan një ndeshje mjaft emocionuese, të hapur deri në fund (30-27, 19-20, 24-25, 27-14), duke argëtuar tifozët e shumtë. Në fundin e takimit, Besëlidhja u tregua më e saktë dhe e kujdesshme, duke rrëmbyer trofeun e parë sezonal.
Hamate me 25 pikë e 13 rebound, një ish-bardheblu sezonin e kaluar, si dhe Hysa me 21 pikë ishin dy shënuesit më të mirë për lezhjanët në këtë sfidë. Për Tiranën u dalluan Vogli me 21 pikë e Hysenagolli me 18 pikë e 18 rebound.