Bielsa bën “kurban” Liverpool, godet mu në zemër 12 klubet disidente

20 Prill 2021
11:40
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Leeds United, Marcelo Bielsa, beson se Superliga Europiane, e propozuar dhe mbështetur nga Liverpool, do ta dëmtojë futbollin. “Reds” barazuan 1-1 në ndeshjen e së hënës në Premier League, ndaj Leeds, një rezultat që hedh dyshime të mëtejshme mbi kualifikimin e tyre në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Një pikë që mund të jetë e diskutueshme nëse klubet e Superligës do të vazhdojnë me planet e tyre për një turne të veçantë.

Dhe Bielsa e ka akuzuar Liverpool-in se është në mesin e atyre klubeve që veprojnë vetëm për interesat e tyre dhe se kanë harruar pjesën e mbetur të kampionatit: “Sigurisht që Superliga i shkakton dëm futbollit. Kjo nuk duhet të habisë askënd prej nesh. Skuadrat më të forta mendojnë se kanë më shumë ndikim dhe po gjenerojnë shumicën e të ardhurave në futboll. Duke marrë parasysh këtë logjikë, teksa pjesa tjetër e ekipeve nuk janë më të nevojshme për ta, shohin vetëm interesin e tyre.

Ekzistojnë struktura që duhet të vendosin kufij për orekset e ekipeve të mëdha. Kjo ishte e pashmangshme. Organizatat mund t’i kishin parashikuar këto teprime dhe mund t’i kishin shmangur. Kjo nuk duhet të na habisë, sepse ndodh në të gjitha sferat e jetës. Sigurisht që ka skuadra të ndryshme, më të rëndësishme se të tjerat, por duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojat e njëri-tjetrit.

Futbolli ka një pamje, që është gjithmonë e më komercial tani. Lëvizje të tilla janë të natyrshme në botën e bizneseve, duke parë vetëm aspektin ekonomik, sepse kërkojnë shumicën e përfitimeve. Ama, futbolli iu përket të gjithëve, edhe nëse ka pronarë. Pronarët e vërtetë të futbollit janë ata që e duan këtë sport me zemër, tifozët. Pa ta futbolli do të zhduket”.

I pyetur nëse kishte ndonjë simpati për Jurgen Klopp, i cili ka shprehur shqetësim mbi projektin e ri të 12 klubeve, Bielsa tha: “Përgjegjës janë ata në krye të strukturës. Strukturat duhet të kishin punuar që kjo të mos ndodhë. Kjo do të gjenerojë një polemikë të madhe, le të shohim se kush do të marrë anën e tifozëve. E rëndësishme është mbrojtja e tifozëve.

Si spektatorë që vëzhgojnë me habi atë që po ndodh, jam i sigurt se po e përjetojnë me shqetësim dhe emocione. Mendimin tim për Superligën po e sintetizoj me pak fjalë: Një nga arsyet që futbolli është sporti më i popullarizuar në botë lidhet me faktin se edhe të dobëtit i mundin më të fuqishmit”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit