Bielsa është me të vërtetë “Loco”, ish-lojtarët: E gjetëm në dhomat e zhveshjes lakuriq…

13 Shkurt 2020
15:23
Denis Hakanaj

“Kemi hyrë dhe ai ishte aty: lakuriq mbi një krevat për masazhe dhe nuk lëvizte, sikur dikush do ta operonte”, ky është tregimi i Mark Gonzalez dhe Jose Pedro Fuenzalida për Abrazo del Gol në lidhje me “çmenduritë” e ish-trajnerit të tyre, Marcelo Bielsa, në kohën kur ai drejtonte kombëtaren e Kilit.

Edhe pse bëhet fjalë për një episod të ndodhur në të kaluarën, është e pamundur të mos tërheqë vëmendjen. Dy futbollistët kanë zbuluar atë që, me sa duket, ka qenë pothuajse një zakon për trajnerin aktual të Leeds.  

“Pas një humbjeje të pësuar kundër Ekuadorit, Bielsa ka hyrë i zemëruar në dhomat e zhveshjes. Nuk fliste me asnjeri dhe pasi ka ecur lart e poshtë për një kohë të gjatë, ka shkuar në dhomën ngjitur”.

“Kur kemi hyrë ne, ai ishte aty: e gjetëm lakuriq mbi një shtrat për masazhe dhe qëndronte pa lëvizur, sikur dikush do ta operonte. Ka qëndruar ashtu për gjysmë ore”.

Një sjelle aspak e pazakontë, veçanërisht për Fuenzalida-n, i cili ka treguar edhe një episod tjetër: “Kemi humbur ndeshjen kundër Italisë 1-0 pasi luajtëm mirë. Bielsa ishte shumë i zemëruar pas ndeshjes, kishte bërë fjalë edhe me trajnerin e Italisë”.

“Kur shkuam në dhomën e zhveshjes, ai po bërtiste dhe ecte lart e poshtë, teksa hiqte të gjithë rrobat që kishte veshur”.

Me pak fjalë, një “Loco” i vërtetë.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit