Bilanci i grupeve të Champions-it. Statistikat nuk gënjejnë, njihuni me më të mirët

4 Nëntor 2022
10:35
Alfred Lleshi
back button

Pas fazës së grupeve, është kohë e mirë për të bërë një bilanc në nivel statistikor, të asaj që po ndodh në Champions League. “Marca” ka analizuar më të mirën. Kush ka qenë golashënuesi më i mirë? Po asistuesi maksimal? Kush është ai që “vjedh” më shumë topa? Po portieri që bën më shumë pritje? Më poshtë keni të gjitha përgjigjet.

Balotazh në luftën për të qenë asistuesi më i mirë – Diogo Jota (Liverpool) dhe Leo Messi (PSG) kryesojnë renditjen e asistuesve më të mirë me nga katër të tilla secili. Portugezi i humbi dy ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit. Me tre asistime shfaqet një legjion lojtarësh: Kimmich (Bayern), De Bruyne (City), Perisic (Tottenham), Di María (Juve), Cancelo (City), Anguissa (Napoli), Simakan (RB Leipzig), Gnabry ( Bayern), Kvaratskhelia (Napoli), Goretzka (Bayern) dhe Mbappé (PSG).

“Tridenti” që gjeneron më shumë raste në Champions League – Fede Valverde (Real Madrid) i është bashkuar tandemit Leo Messi-Neymar (PSG). Të tre janë, me nga 15, ato që krijojnë më shumë shanse shënimi në Champions League. Një hap më poshtë, me 14, shfaqet Piotr Zielinski nga Napoli.

Vinicius, ai që gjuan më shumë – Vinicius ‘tërheq makinën’ te Real Madridi. Braziliani është futbollisti që ka tentuar më shumë gjuajtje në fazën e grupeve, si në total (25), ashtu edhe në portë (13). Vetëm një gjuajtje më pak se Vini ka Lewandowski (24).

Ai që bën driblime më shumë – Vinicius gjithashtu mund të mburret se ka kryer më shumë driblime (23) në fazën e grupeve. Ai pasohet nga Kylian Mbappé me 16. Megjithatë, ai që ka tentuar më shumë driblime është Nuno Tavares i Olympique Marseille, me 15.

Dembélé, ai që kroson më shumë – Këmbëngulja e Ousmane Dembélé nuk ka pasur një shpërblim në formën e kualifikimit në 16-she. Anësori i Barcelonës, i cili ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asiste, ka qenë lojtari që ka regjistruar më shumë krosime (51) në fazën e grupeve. Ai pasohet nga Ivan Perisic i Tottenham me 45 dhe befasuesi Konstantinos Tsimikas (44) nga Liverpool.

Toni Kroos, mbreti i pasimit – Gjermani është ‘busulla’ e Real Madridit. Kroos e ka përfunduar fazën e grupeve si futbollisti që ka regjistruar më shumë pasime në total (547) dhe me sukses (519). Marco Verratti e ndjek. Numri ‘6’ i PSG-së ka dhënë gjithsej 513 pasime, 482 të suksesshme. Vetëm pas vijnë Rodri (436 nga 464) dhe Rúben Dias (443 nga 459), të dy nga Manchester City.

Më shumë duele – Bruno Petkovic ka qenë një ‘dhimbje dhëmbi’ e vazhdueshme për mbrojtjet. ‘9’ i Dinamo Zagrebit ka qenë lojtari që ka regjistruar më së shumti duele (137) në fazën e grupeve të Champions League. Megjithatë, Petkovic nuk është ai që ka fituar më së shumti duele (52). Ai është tejkaluar në këtë pikë nga Manuel Ugarte i Sporting CP, i cili ka fituar 56 nga gjithsej 101 duele.

Florentino ka ‘magnet’ – Florentino është ‘ringjallur’ te Benfica pas dy huazimeve të frustruara te Monaco dhe Getafe. Mesfushori i ‘Shqiponjave’ kryeson me 19 në pjesën e ndërprerjeve. Pas tij është Eric Bailly, nga Marseja, me 15.

Më shumë pritje – Bruges ka qenë zbulimi i madh i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve falë, në masë të madhe, Simon Mignolet. Ish-lojtari i Liverpool ka qenë portieri që ka bërë më shumë pritje (30), së bashku me Anatoliy Trubin të Shakhtar Donetsk. Përveç kësaj, Mignolet është portieri që e ka mbajtur më së shumti portën e pastër: 5 ndeshje.

Diogo Costa, një rekord për historinë – Portieri i Portos është me fat. Askush nuk kishte pritur aq penallti (3) sa Diogo Costa në të njëjtin edicion të Champions League. Portieri portugez ka ndaluar penalltitë e njëpasnjëshme nga Schick, Demirbay dhe Lang.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit