Blazhevski prezantohet me ekipin e ri, Tirana pret sulmues

8 Janar 2019
15:55
back button

Ish-sulmuesi i kombëtares maqedonase, Dejan Blazhevski, ka firmosur sot për Rabotnicki-n në Maqedoni. Sulmuesi 33-vjeçar erdhi me bujë në Shqipëri verën e shkuar dhe Tirana priste shumë prej tij, pasi bëhet fjalë për një futbollist me CV të rëndësishme, por asgjë nuk eci mbarë.

Kriza e Tiranës, dëmtimet dhe sidomos ndryshimi në stol ishin fatale për sulmuesin, pasi Ardian Mema nuk e preferon maqedonasin, i cili është detyruar të prishë kontratën me marrëveshje.

Në Maqedoni, gjithsesi, ia dinë mirë vlerat, ndaj Rabotnicki ka fituar garën, duke firmosur për një vit me të.

Ndërkaq, Tirana kërkon sulmues dhe drejtuesit e klubit kanë shumë emra të propozuar nga tregu i huaj, por realisht thuajse askush nuk është lojtar interesant, pasi bëhet fjalë për futbollistë me CV të varfër, apo që nuk aktivizohen prej muajsh.

Në këtë situatë, do të punohet me qetësi deri në fund të muajit, duke parë edhe për ndonjë mesfushor cilësor që do të merrte përsipër organizimin e lojës, ndërsa në sulm duket se do të marrë rol qendror Michael Ngoo, i cili është kthyer nga Anglia pas disa ditëve pushim. Anglezi ka qenë fantastik në ndeshjet e fundit të kampionatit dhe fizikisht duket në formë, ndaj Tirana nuk bën dot pa të, aq më shumë që Sentamu e Halili nuk e tërheqin dot repartin e sulmit dhe Oduamadi praktikisht e ka mbyllur me Tiranën, për shkak të një dëmtimi të rëndë pësuar në tetor.

MIQËSORJA – Këtë të mërkurë Tirana do të sfidojë Skënderbeun në një miqësore që do të luhet në kompleksin Tropical në Durrës. Një mundësi e mirë për trajnerin Mema të shohë formën e gjithë lojtarëve, përfshirë të huajt, që sapo janë kthyer nga pushimet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit