Boateng bën thirrjen e fortë: Asnjë fëmijë nuk lind racist, ja si luftohet

4 Qershor 2020
12:27
Alfred Lleshi
back button

Jerome Boateng i Bayern Munich ka bërë thirrje që shkollat ​​të përfshijnë mësime “integrale” anti-racizmit, si pjesë e kurrikulave të tyre, pasi mendon se “asnjë fëmijë në këtë botë nuk lind racist”. Komentet e qendërmbrojtësit vijnë pas trazirave të vazhdueshme në SHBA, ku në shumicën e qyteteve të mëdha njerëzit kanë dalë në rrugë, duke protestuar për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë.

Racizmi është i përhapur edhe në botën e futbollit, me incidente të panumërta ndër vite. Boateng, megjithatë, mendon se puna e bërë nuk është e mjaftueshme, ndaj fëmijëve duhet t’u mësohet që në moshë të re se urrejtja për njerëzit, bazuar në ngjyrën e lëkurës së tyre, është mungesë edukimi: “Gjithçka fillon me edukimin e fëmijëve. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Asnjë fëmijë në këtë botë nuk lind racist. Varet nga prindërit dhe ato që u tregojnë fëmijëve të tyre.

Nëse fëmijët e mi të përjetojnë gjëra të tilla do të ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte. është thelbësore që t’u mësojmë atyre se racizmi nuk është i pranueshëm. Nëse shohin që dikush abuzohet, duhet t’i mbrojë ata dhe të flasë. Kjo duhet të fillojë në shkollë. Anti-racizmi duhet të jetë pjesë integrale e kurrikulës mësimore. Vetëm në këtë mënyrë mund të përparojmë në këtë aspekt. Imazhet që vijnë këto ditë nga SHBA më trondisin. Për fat të keq, protestat po marrin një formë të dhunshme.

Sidoqoftë, rasti i George Floyd na tregon se sa i përhapur është racizmi edhe në Amerikë. Më duket jashtëzakonisht shqetësuese, sepse shpesh shkoj në Amerikë, më pëlqen shumë vendi dhe kultura atje. Por, nuk është asgjë e re; është diçka e kudondodhur. Racizmi gjendet kudo, por kap ekstremin në SHBA.

Kam lexuar një citim të mirë kohët e fundit: Duket sikur racizmi është një dhomë e errët dhe, kurdoherë, dikush ndez dritën e gjithçka zbulohet. Kur mendoj se sa shumë kanë bërë afro-amerikanët për imazhin dhe kulturën e SHBA, e gjykoj si të pashpjegueshme situatën. Dhe mendoj vetëm për sport, modë e muzikë. Barack Obama si president ishte gjithashtu një figurë përcaktuese”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit