Bogdani bën “shkesin” e Kumbullës te Fiorentina: Mourinho po gabon me të…

4 Janar 2022
13:31
Alfred Lleshi

Një nga objektivat kryesore të Fiorentinës, për të forcuar repartin e saj mbrojtës, është Marash Kumbulla. Qendërmbrojtësi shqiptar në pronësi të Romës nuk ka pasur hapësira aktivizimi nën drejtimin e Mourinhos, ndaj transferimi te vjollcët mund ta ringjallë karrierën e tij. Për ta komentuar këtë transferim të mundshëm, redaksia e “FirenzeViola.it” ka kontaktuar ekskluzivisht me Erjon Bogdanin, bashkatdhetarin e Kumbullës dhe golashënuesin më të mirë të historisë së kombëtares shqiptare.

Fillimisht, çfarë mendoni për këtë Fiorentinë në Itali?
Po bën shumë mirë këtë sezon. Falë punës së Vincenzo po arrin rezultate të shkëlqyera. Unë e njoh shumë mirë trajnerin, kemi punuar së bashku si te Chievo, ashtu edhe te Hellas. Ai është një mik i madh i lojtarëve dhe lumturohem që po bën shumë mirë. Është një gëzim i vërtetë për mua. Pas kaq shumë vitesh vështirësi, më në fund Fiorentina, falë punës së tij, luan futboll të bukur dhe tani lufton edhe me skuadrat e mëdha.

A mund të flasim tashmë për Evropën?
Për mendimin tim është ende herët, por Fiorentina vazhdon të luajë kështu, ndoshta me disa rregullime të vogla gjatë merkatos së janarit, sigurisht që mund të japë shumë kënaqësi. Vjollcët kanë një ekip të mirë dhe veçanërisht një golashënues të spikatur si Dushan Vlahovic. Ai është shumë i fortë.

Si do ta shihnit Kumbullën në formacionin vjollcë?
Marash është një lojtar mjaft i mirë, ende i ri dhe ka shumë perspektivë. Ai mund të luajë shumë mirë në një mbrojtje me tre lojtarë, por edhe me katër. Kumbulla është në gjendje të lexojë shumë mirë veprimet, luan saktë me këmbë dhe është i fortë me kokë. Në stilin që përdor trajneri Italiano mund të bëjë shumë mirë. Pastaj të mos harrojmë se ai është i datëlindjes 2000, ndaj ka kufij të rëndësishëm përmirësimi.

Si e shpjegoni këtë rënie të performancës së tij te Roma?
Më vjen keq që ai nuk është në gjendje të bëjë përpara në kryeqytet, atje nuk po gjen hapësirë. Për mendimin tim, klubi ka gabuar që nuk i ka besuar. Mbrojtësit me shtatin e tij duhet të luajnë shumë për të pasur vazhdimësinë e duhur. Ai nuk mund të performojë mirë nëse luan kaq pak.

A keni qenë ndonjëherë pranë Fiorentinës?
Në fakt jo. Duke luajtur me Sienën, nuk do të kisha mundur kurrë të vija në Firence, sepse do të kisha tradhtuar tifozët bardhezi. Do të më pëlqente të luaja atje, sepse Fiorentina ka qenë përherë një ekip shumë i fortë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit