Bojkoti i arbitrave merr fund, nesër luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë!

11 Mars 2019
15:36
back button

Mbledhja e sotme mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë, për të diskutuar problemet e sigurisë në stadiume, i ka dhënë fund edhe bojkotit të arbitrave. Është FSHF ajo që ka njoftuar klubet se nesër do të luhen rregullisht ndeshjet e planifikuara, të cilat përkojnë me takimet e radhës të Kupës së Shqipërisë.

Në fushë do të zbresin katër ekipe ditën e nesërme, me Partizanin që pret Luftëtarin në “Elbasan Arena” ndërsa Teuta pret Kukësin. Një ditë më pas do të jetë dhe përballja e Laçit me Tiranën. 

Arbitrat ishin në bojkot prej një jave, që pas incidenteve që ndodhën në stadiumin e Kamzës, ku tifozët vendas në përfundim të ndeshjes, goditën arbitrin e takimit, Eldorian Hamiti. Ky i fundit u sulmua edhe nga drejtues të klubit, për të cilët tashmë janë dhënë masa ndëshkimore, ashtu sikundër dhe për vetë klubin e Kamzës, që është përjashtuar nga Superliga. 

Pas këtyre incidenteve pati disa reagime, ku më i ashpëri ishte padyshim ai i Shoqatës së Arbitrave, që vendosi të pezullonte aktivitetin, deri në krijimin e sigurisë së nevojshme për të zhvilluar ndeshje në normalitet. 

E gjithë kjo situatë, bëri që të thirrje mbledhja e sotme me urgjencë, ku Presidenti i FSHF-së Armand Duka, Kryeministri i vendit Edi Rama dhe presidentët e klubeve të Superligës dhe aktorë të tjerë, kanë diskutuar rreth masave që do të merren për të rritur sigurinë në stadiume. 

Palët kanë rënë dakord parimisht që të ndryshohet ligji, duke kërkuar ashpërsim të Kodit Penal, për të gjithë agresorët që guxojnë të futen në fushën e lojës. Në tryezën e përbashkët u ngritën dhe probleme të tjera, që lidhen me financat e klubeve, investimet në infrastrukturë etj. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit