Bojkoti, rinovimi dhe rezultatet e kombëtares…; Duka vendos pikat mbi “I”

19 Tetor 2020
11:43
Alfred Lleshi
back button

Në një takim me Universitetin e Sporteve, kreu i FSHF-së foli për disa çështje të futbollit shqiptar. Nga bojkoti deri te kombëtarja kuqezi, që nuk ka pasur rezultatet e pritshme: “Bashkëpunimi është i domosdoshëm, jo vetëm me Universitetin e Sporteve, por edhe me çdo institucion tjetër edukimi sportiv, apo edukimi të profesioneve që i shërbejnë futbollit. Kemi interes për këtë bashkëpunim, për të siguruar të ardhmen e futbollit.

Në bashkëpunim me profesor Agron Kasën do të organizojmë disa kurse jo thjesht spontane, por duke i futur si profesione në shkolla dhe master, për të përgatitur specialitete si përgatitësi fizik, video-analisti apo specialistë të tjerë, që iu duhen skuadrave dhe futbollit modern. Kampionati? Patjetër që do të luhet. Politika në Shqipëri nuk ka pasur prioritet asnjë lloj sporti, nuk ka pasur strategji, nuk ka politika të mirëfillta, vetëm ka shfrytëzuar ndonjë rezultat të arritur.

Duhet politikë, strategji shtetërore për zhvillimin e sportit. Një nga themelet padyshim që janë financat. Ligji i Sponsorizimeve do të ishte një hap, një dritë jeshile për të thënë që po mendojmë. Nuk është se do të na shpallë kampionë Europe, por do të ishte një hap përpara.

Kombëtarja e trajneri Reja? Nuk kemi asnjë plan rezervë, trajneri do të vazhdojë të përgatisë dy ndeshjet e radhës, ku duam të marrim gjashtë pikë. Nuk mund të jemi të lumtur me pikët e marra në katër ndeshjet e para, por nuk mund t’i quaj paraqitje absolutisht negative. Dy ndeshjet në transfertë, të fundit, i luajtëm më mirë se kundër Lituanisë në Tiranë. Nuk janë ndeshje të lehta, por ne jemi të ndërgjegjshëm që steka e Shqipërisë sot është lart. Pra, mërzitemi shumë kur humbim jashtë apo kur barazojmë. Dikur lumturoheshim kur humbnin me një gol diferencë. Në dy ndeshjet e radhës të nëntorit duhet të sigurojmë vendin e parë.

Lojtarët e rinj? Shumë mirë që janë afruar për të luajtur, “Nations League” është kompeticioni më i mundshëm ku t’i aktivizosh. Të gjithë më kanë pëlqyer, janë e ardhmja e Shqipërisë. Do të jenë ata, që do të luajnë me Shqipërinë për objektivin e “Euro 2024″. Rinovimi i kombëtares është proces natyral dhe normal”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit