Bonera karikon Milanin: E dimë mirë çfarë duhet për ruajtur kreun e Serie A

28 Nëntor 2020
15:03
Alfred Lleshi
back button

Me barazimin në Ligën e Europës ndaj Lille, Milani përqendrohet përsëri në kampionat. Skuadra kuqezi do të presë Fiorentinën e Cesare Prandelli në “San Siro”, të dielën pasdite. Dhe do ta bëjë këtë si e pamposhtur, por edhe udhëheqëse e renditjes së Serie A. Milanezët, të cilët për këtë sfidë nuk do të jenë në gjendje të llogarisin Zlatan Ibrahimovic dhe Leao në sulm, padyshim që do të synojnë atë rezultat ndaj vjollcëve, që do t’i mbajë akoma në krye, të vetëm.

Daniele Bonera, i cili do të zëvendësojë Stefano Pioli përsëri në stol, foli për sfidën, në konferencën e zakonshme për shtyp: “Ne e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse vijmë pas një angazhimi në Ligën e Europës. Ndeshjet kundër Fiorentinës kanë qenë gjithmonë impenjative. Ne arrijmë në një kohë të mirë. E dimë që vjollcët kanë kaluar një periudhë të vështirë, por gjithashtu kanë cilësi në ekip”.

Pasi barazimit me Verona, Milani e rifilloi kampionatin me fitoren bindëse në fushën e Napolit: “Ndeshja kundër Verona nuk i lëkundi siguritë tona. Milani vinte nga një periudhë, në të cilën kishte luajtur shumë ndeshje. Tani kemi marrë vendin ku u ndalëm, por patëm një garë të mirë edhe me Verona. E jona është një rrugë që duhet gjykuar nga dita në ditë, djemtë e dinë se çfarë duhet për të qëndruar në majë. Ne kemi kohë që jemi të vetëdijshëm për të qenë të fortë”.

Bonera u përqendrua në disa nga të sapoardhurit: “Të dy, Hauge dhe Tonali po përshtaten mirë me një përkushtim të tillë. Ata e kuptuan çfarë kërkojmë. Për Tonali, e njëjta gjë vlen si sezonin e kaluar me Bennacer. Flasim me njëri-tjetrin shpesh, ai po rritet, është një djalë tek i cili mbështetemi shumë. Sandro luajti një rol kryesor të enjten, ka gjithçka për t’u përmirësuar”.

Milani nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Zlatan Ibrahimovic: “Ne do ta vlerësojmë atë javën tjetër. Ibra është në humor të mirë dhe kjo na jep shpresë për një kthim sa më të shpejtë”. Sidoqoftë, Milani ka në dispozicion një repart të shkëlqyeshëm sulmues: “Calhanoglu po na jep një kontribut të çmuar. Çdo lojtar mund të përjetojë pak a shumë momente pozitive, jemi të kënaqur me të. Rebic nuk është ende në krye, por kur të jetë, tiparet e tij do të dalin edhe më shumë në pah. Brahim Diaz ka hyrë mirë, ka teknikë dhe vizion të shkëlqyeshëm të lojës, madje mund të startojë”.

Bonera ka një përvojë të rëndësishme në stol: “Jemi duke pritur trajnerin tonë dhe shpresojmë se do të kthehet së shpejti. Mendoj se më duhet edhe një praktikë tjetër. Ndërkohë, unë jam duke zbatuar këshillat e Piolit”. Bonera, gjithashtu, bëri një vlerësim të kushteve të Romagnoli dhe Leao: “Alessio ishte në dispozicion për Lille, por bëmë një arsyetim, duke marrë parasysh shumë ndeshje të planifikuara. Duhet konsideruar se është rikuperuar plotësisht. Leao bëri një kontroll këtë mëngjes, i cili shkoi mjaft mirë. Jemi të kënaqur me progresin që ka bërë, do ta vlerësojmë ditë për ditë”.

Milani duket se është në rrugën e duhur për në nivele të larta: “Ekziston një dëshirë e madhe për të punuar dhe sakrifikuar për njëri-tjetrin, diçka që edhe Milani i vjetër e kishte. Ekziston një dëshirë e madhe për të ardhur në Milanello për stërvitje. Unë shoh ngjashmëri me atë ekip, edhe nëse gjithmonë mund të përmirësohesh. Me këtë qëndrim është më lehtë të rritemi, duhet të jemi më të kujdesshëm në topat joaktivë. Tani duam t’i kthehemi fitores në shtëpi. Ne e dimë që do të jetë e vështirë, por duhet të vazhdojmë rrugën e rritjes. Nesër kemi një mundësi të shkëlqyeshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit