Borussia, dështimi në Champions erdhi për faj të flokëve?

15 Shkurt 2019
18:55
Denis Hakanaj
back button

Ka shumë arsye që fshihen mbrapa një ndeshje të humbur: organizim i keq, probleme brenda ekipit dhe… vizita të papëlqyera? Borussia Dortmund ka dalë me kockat e thyera nga ndeshja e parë e 1/8-tave të Champions League, e humbur 3-0 në "Wembley" kundër Tottenham-it. 

Një goditje e rëndë për verdhezinjtë e Lucien Favre, të cilët kryesojnë Bundesliga-n me një avantazh prej pesë pikësh ndaj Bayern Munich, por që mund t'i kenë thënë lamtumirë Europës që tani. Në ndeshjen e kthimit, në fakt, do të duhet një mrekulli. Po kush e ka fajin? Pse u shpërbë në këtë mënyrë Borussia?  

Sipas shtypit britanik, gjermanët mund të jenë shpërqendruar para ndeshjes nga vizita e parukierit. Lojtarët kanë vendosur të ndryshojnë "look" në hotelin ku qëndronin në përfundim të stërvitjes së fundit përgatitore. Administratori i deleguar Hans-Joachim Watzke ka siguruar për "Bild" se vizita e parukierit nuk ka ndikuar te paraqitja e ekipit, por ka thënë edhe se aktivitetet para ndeshjes do të rishikohen: 

"Nuk ka patur asnjë ndikim. Humbja ka ardhur për arsye sportive dhe ne duhet t'i analizojmë. Rezultati i takimi ka shtyrë mediat që ta shikojnë negativisht vizitën e berberit. Gjithsesi, drejtori sportiv, Michael Zorc, dhe përgjegjësi i skuadrës, Sebastian Kehl, do të flasin me lojtarët". 

Ndeshja e kthimit mes Dortmund dhe Tottenham do të luhet pesë marsin e ardhshëm në "Signal Iduna Park". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit