Borussia ngre “murin” kundër Real Madridit për Haaland

27 Nëntor 2020
11:35
Alfred Lleshi
back button

“Unë e shoh me ne për një kohë të gjatë”. Kështu është shprehur arkitekti i Borussia Dortmund, Michael Zorc. Drejtori sportiv i të verdhëve u pyet në prag të ndeshjes që të tijtë do të luajnë kundër Cologne këtë të shtunë për të ardhmen e Haaland dhe është i qartë: “Ne kemi planifikime afatgjata me Erling. Thashethemet mbi të nuk duhet të merren parasysh”.

Gjiganti norvegjez ka qenë në majë të elitës me golat e tij. Te Borussia Dortmund ka shpërthyer edhe më shumë. Kjo e ka vendosur atë në orbitën e Real Madridit për vitin 2022 (më 2021 synohet Mbappé dhe Camavinga).

Në “Signal Iduna Park” hezitojnë të mendojnë për një të ardhme pa sulmuesin 20-vjeçar. Lideri absolut i ekipit, madje edhe përpara Jadon Sancho, për momentin (Transfermarkt tashmë i barazon ata në vlerë: 100 milionë euro), konsiderohet i paprekshëm. “Ai po na tregon rrugën, kjo është shumë e mirë për ne. Unë nuk besoj në zvogëlimin artificial të zhvillimit pozitiv”, – analizon Zorc, i cili lartëson performancën e shtatlartit bjond dhe mohon largimin e tij nga të verdhët.

Afati kryesor për të cilin duhet të luftojë Borussia Dortmund është vera 2022, sepse, siç mëson “AS”, kur e mbylli nënshkrimin në janar 2019, u përfshi një marrëveshje verbale midis Mino Raiola, agjent i lojtarit, dhe drejtuesit e Borussia. Në fillim flitej për një klauzolë përfundimi prej 75 milionë eurosh, që do të bëhej efektive më 2022, por në të vërtetë është e nevojshme që palët të ulen në tryezë për të negociuar. Premtimi i klubit gjerman është se litari nuk do të shtrëngohej si në telenovelat e tjera, fjala vjen Sancho-Manchester United.

Ndërkohë, Haaland mbetet i pavëmendshëm ndaj çdo thashethemi ekzistues dhe përqendrohet në atë që bën më mirë, duke shënuar gola. Ai u emërua së fundmi “Golden Boy 2020” dhe, për ta festuar këtë çmim, ai shënoi katër gola kundër Hertha Berlin, po atë pasdite. Gjatë javës, Brugge ishte “viktima” e tij e radhës dhe, meqë ra fjala, theu një rekord të ri të shpejtësisë në të shënuar. Ai u bë lojtari që shënon më shpejt 16 gola në Ligën e Kampionëve (12 ndeshje), duke mundur rekordin e mëparshëm të Van Nistelrooy dhe Soldado.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit