Botërori 2022 dhe Europiani i ardhshëm; Southgate “votëbesohet” si trajner i Anglisë

22 Nëntor 2021
13:57
Alfred Lleshi
back button

Marrëveshja e mëparshme e Southgate do të skadonte në fund të finaleve të Kupës së Botës në Katar, në dhjetor të vitit të ardhshëm, por trajneri i Anglisë dhe ndihmësi i tij, Steve Holland, kanë nënshkruar kontrata të reja deri në dhjetor 2024.

Ky njoftim iu jep fund spekulimeve rreth të ardhmes së afërt të Southgate dhe do të thotë se ai do ta drejtojë Anglinë edhe në “Euro 2024”, nëse kualifikohet për turneun që do të mbahet në Gjermani.

“Jam i kënaqur që Steve dhe unë kemi zgjatur qëndrimin tonë në rolet përkatëse, – tha Southgate në një deklaratë të lëshuar nga FA. – Mbetet një privilegj i jashtëzakonshëm të drejtosh këtë ekip. Do të doja të përfitoj nga ky rast të falënderoj Mark (Bullingham, shef ekzekutiv), John (McDermott, drejtor teknik) dhe bordin për mbështetjen e tyre; sigurisht edhe lojtarët me ekipin mbështetës për punën e tyre të palodhur. Ne kemi një mundësi të madhe para, e di që tifozët janë të gjithë të emocionuar për atë që kjo skuadër mund të arrijë në të ardhmen”.

Southgate e mori drejtimin e Anglisë në vitin 2016, pas shkarkimit të Sam Allardyce, dhe që atëherë ka pasur një periudhë suksesi relativ me kombëtaren. Ai udhëhoqi Anglinë drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Botës në vitin 2018, në turneun e tij të parë të madh si trajner, përpara se të siguronte vendin e tretë në Ligën e Kombeve, verën e ardhshme.

Southgate më pas udhëhoqi Anglinë në finalen e “Euro 2020”, në “Wembley”, ku u mund me penallti nga Italia. Suksesi i tij më i fundit ishte se e drejtoi Anglinë drejt finaleve të Kupës së Botës 2022 në Katar, pas një fushate kualifikuese pa humbje. Nga tetë fitoret, dy u arritën kundër kuqezinjve tanë, ndërkohë që “Tre Luanët” regjistruan edhe dy barazime në grupin I.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit