Botërori i Iniestës; nga depresioni te heroi i finales së madhe…

11 Korrik 2020
13:46
Alfred Lleshi
back button

Golat nuk janë të gjithë të njëjtë. Ka disa që nuk e ndryshojnë fatin e një ndeshjeje, të tjerë që, në vend të kësaj, vlejnë një fitore, çka nënkupton pikë të rënda, ose kalim të një raundi. Ka akoma gola të tjerë, që mbeten të rrënjosur në kujtesën e njerëzve, sepse janë jashtëzakonisht të bukur, ose shumë të rëndësishëm. Këta të fundit bëjnë histori. Të jesh në gjendje të shënosh golin e fitores së një finaleje të madhe në futboll është privilegj për disa, por nëse shënon dy gola historikë dhe, ndër të tjera, në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër, që zgjat nga maji 2009 në korrik 2010, atëherë kjo do të thotë se nuk jeni vetëm kampion, por lojtar që e meritoni plotësisht të bashkoheni me grupin e më të mëdhenjve të futbollit.

Andrés Iniesta e meriton një vend ndër më të mëdhenjtë, jo vetëm sepse dy herë, kur pritej vetëm bilbili i trefishtë i arbitrit, e gjeti veten në vendin dhe kohën e duhur, por edhe sepse ishte thjesht një nga mesfushorët më të fortë ndonjëherë. Një kampion absolut, një talent i shkëlqyer, me inteligjencë taktike dhe cilësi teknike të jashtëzakonshme. Një nga pseudonimet e tij, “Iluzionist”, thotë shumë për mënyrën e tij të të luajturit, por jo gjithçka. Iniesta ka qenë gjithmonë një nga ata kampionë, në gjendje të bëjë ndryshimin, sepse ata kanë diçka më shumë se të tjerët, por gjithnjë duke e vendosur skuadrën të parën. Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme ai përcaktoi fatin e Barcelonës dhe Spanjës, në kuptimin më të plotë të këtij termi.

Barça e Guardiolës me siguri nuk do të kishte hyrë në radhët e skuadrave më të mira të të gjitha kohërave, nëse “Don Andrés” nuk do të kishte shënuar golin e barazimit 1-1 në “Stamford Bridge”, kundër Chelsea, i cili më pas i dërgoi Blaugrana-t në finalen e Champions-it. Pastaj katalanasit triumfuan kundër Manchester United, më 2009. Spanja me siguri nuk do ta kishte fituar Botërorin e parë të saj, deri më tani të vetmin, nëse Iniesta nuk do të kishte vendosur, me atë gol në minutën e 116-të, në finalen e Johannesburgut të vitit 2010. Gjërat e paracaktuara, që pas triumfeve dhe trofeve i bëjnë fansat të ëndërrojnë, shpesh kanë shumë më tepër vlerë. Iniesta e di mirë këtë, duke marrë parasysh se në momentin më të mirë të karrierës së tij, duhej të merrej me kundërshtarin më të vështirë për t’u kapërcyer: depresionin.

Driblimi i një mbrojtësi, kur ka cilësi të veçanta, mund të jetë normal për një kampion, por gjërat bëhen shumë më të komplikuara, kur armikun tuaj nuk mund ta shihni. Iniesta, në vitin 2009, kur ishte 25 vjeç, sapo kishte fituar të dytën Ligë Kampionesh dhe “Tripletën” e parë. Pra, ai kishte gjithçka, që një djalë mund të ëndërrojë, por gjithsesi duhet të merret me vështirësi të paimagjinueshme nga jashtë. Ai pati disa lëndime atë vit dhe shtrëngoi dhëmbët për të luajtur në finalen e Champions-it. Ajo ndeshje në Romë vlente për një triumf të jashtëzakonshëm, por edhe lëndime të mëtejshme, që do ta kushtëzonin Andres në muajt që do të pasonin. Në një skenar, që ndoshta nuk është i përsosur, por, megjithatë, i zakonshëm për një lojtar, tragjedia që e shënjoi për keq atë ndodhi: vdekja e Dani Jarque.

Ishte 8 gushti, kur mbrojtësi 26-vjeçar i Espanyol vdiq teksa po fliste në telefon me gruan e tij. Dani Jarque nuk ishte vetëm një djalë, në kulmin e rinisë së tij, që bëri një nga punët më të bukura në botë. Ai ishte, gjithashtu, një mik e vëlla për Iniesta: “Unë nuk isha në më të mirën time dhe pastaj vdiq edhe Dani. Ishte një grusht shumë i fortë, që më rrëzoi, e pashë veten duke u fundosur. Kishte shumë gjëra, që më bënë të ndihesha i mbaruar. E di që është një gjë e vështirë të kuptosh kur ke gjithçka, por unë isha shumë keq”.

Iniesta kishte forcën të tregonte sesi ndjehej në depresion, pikërisht atëherë kur duhej të ishte momenti më i lumtur i jetës së tij, por që në të vërtetë ishte më i vështiri: “Gjërat më të mira më ndodhën në fazën më të vështirë për mua. Nuk më vinte turp të shihesha nga shokët e mi në këtë mënyrë. Nëse nuk do t’i kisha ata përreth meje, do të ishte praktikisht e pamundur të dilja prej humnerës shpirtërore ku kisha rënë. Gjithçka më dukej e zezë dhe sa më shumë që kalonin ditët, aq më keq ndihesha. Në situata të tilla nuk të hyn në sy asgjë, nuk mund të prisja që të vinte nata, të merrja një pilulë dhe të flija. Është e vështirë të mbash kontrollin mbi jetën tënde”.

Në ndihmë të kampionit spanjoll, për ta fituar betejën personale me depresionin, ishte një psikolog dhe dy psikiatër, por edhe miqtë e tij, Pep Guardiola (“ai gjithmonë më thoshte se njeriu Andres është më i rëndësishëm se lojtari Andrés”). Natyrisht, e ndihmuan edhe të dashurit e tij, përfshirë këtu babain, José Antonio: “Kur djali juaj 25-vjeçar vjen për t’ju parë në mesnatë dhe thotë se dëshiron të flejë me prindërit, ju e kuptoni që diçka nuk është në rregull. Ai më tha që nuk ishte mirë dhe nuk e dinte përse. Unë i thashë që, nëse nuk ndihej mirë, le ta linte futbollin”.

Sidoqoftë, Iniesta nuk u ndal, por e udhëhoqi Spanjën drejt fitimit të Kupës së Botës. Andres vazhdon të luajë ende futboll, t’i kënaqë fansat e shumtë, megjithëse në Japoni, shumë kilometra larg nga Fuentealbilla, Spanja dhe Barcelona e zemrës së tij. Ai u ngrit në këmbë, fitoi ndeshjen e tij më të vështirë, pati kohë të “shugurohej” si një nga mesfushorët më të mirë ndonjëherë dhe pastaj, pothuajse të mbyllte një cikël, t’i kushtonte mikut të tij vëllazëror golin më të rëndësishëm në historinë e futbollit spanjoll. E kemi fjalën për atë që shënoi kundër Hollandës, më 10 korrik 2010.

Atë mbrëmje, Xhesika Alvarez, gruaja e Dani Jarque, u kthye të shihte një ndeshje futbolli pas 11 muajsh. Ishte e para, që nga vdekja e burrit të saj: “Vendosa ta shikoja finalen, isha në shtëpi me nënën dhe vajzën time 10 muajshe. Dani do të ishte i lumtur ta shihte atë me miqtë e tij. Andrés, nuk e di pse, por parandjeja se do të shënonte. Mbase ishte intuita, mbase një ogur, mbase fati. Andres mund t’ia dedikonte atë gol familjes, gruas, fëmijëve të tij, shumë njerëzve të tjerë. Në fakt, ia dedikoi Daniit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit