Bottas përbindësh në pistë, “pole” dhe rekord në Barcelona

11 Maj 2019
16:07
Telesport
back button

Valtteri Bottas me Mercedes ka siguruar “pole position” sot në pistën e Barcelona, e vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1. Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit finlandez, që konfirmon momentin e mirë që po kalon këtë sezon. Kryesuesi i Botërorit dha kohën 1’15”406, kohë rekord e kësaj piste, i pakapshëm nga rivalët.

Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton me makinën tjetër Mercedes, por ajo që ra në sy ishte diferenca e madhe që Bottas kishte me britanikun, 6 të dhjetat. Finlandezi bëri një xhiro të shpejtë të jashtëzakonshme, duke befasuar të gjithë dhe korri “pole” nr.3 sezonal, i nënti në karrierën e tij.

Në vendin e tretë u rendit Sebastian Vettel me Ferrari (8 të dhjetat më shumë), që la pas Max Verstappen me Red Bull (gati 1 sekondë më i avashtë). Ndërsa piloti tjetër i “kokëkuqes”, Charles Leclerc, u rendit në vendin e pestë, me gati +1.2 sekonda më shumë.

Pra, duket se edhe në Barcelonë do të jetë Mercedes ajo që do të bëjë ligjin, pasi Ferrari e Red Bull do të duelojnë thjesht për vendin e tretë në podium. Gara do të zhvillohet ditën e diel, me start në orën 15:10, gara e pestë sezonale e Botërorit të Formula 1.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit