Brazilin nuk e ndal dot askush, Uruguaji ishte “viktima” e radhës

18 Nëntor 2020
9:42
Alfred Lleshi
back button

Brazili vazhdoi me ecurinë e përsosur të kualifikimeve të Kupës së Botës. Gjigantët amerikano-jugorë fituan 2-0 ndaj Uruguajit, në Montevideo, të martën. Golat u shënuan në pjesën e parë nga Arthur dhe Richarlison. Edhe pse pa Neymar, pesë herë kampionët e botës regjistruan fitoren e katërt radhazi në këtë fushatë eliminatore për “Katar 2022”.

Uruguaji, i cili luajti pa Luis Suarez, pas testit pozitiv të koronavirusit, goditi traversën dy herë në pjesën e parë, para se shanset e tij të merrnin një goditje të mëtejshme, kur Edinson Cavani u përjashtua me karton të kuq në minutën e 71-të.

Ky rezultat e zgjati dominimin e Brazilit të pamposhtur ndaj Uruguajit në 11 ndeshje. Në atë që konsiderohet fushatë e lodhshme kualifikuese, Brazili ka një fillim ëndrrash, me katër fitore në katër ndeshje. Të besuarit e trajnerit Tite përfunduan në krye të renditjes së kualifikueseve të Botërorit 2018, me 12 fitore.

Ata janë në rrugën e duhur për një fushatë tjetër dominuese. Pa Neymar, për shkak të një dëmtimi në kofshë, Brazili nuk e ndjeu mungesën e yllit të vet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit