Brdariç apelon sedrën e lojtarëve dhe tifozëve shkodranë: Ja çfarë pres nesër ndaj Tiranës

29 Tetor 2021
11:13
Alfred Lleshi

Thomas Brdaric do nesër jo vetëm futbollistë të përqendruar 100 për qind në fushë, por edhe trima, ndaj Tiranës. Trajneri kuqeblu nuk firmos për barazim, por kërkon maksimumin, duke llogaritur edhe mbështetjen e madhe të tifozëve shkodranë. Në konferencën për shtyp, njëshi i pankinës së Vllaznisë nuk u fsheh, teksa tha se mendon vetëm 3 pikët ndaj kryesuesve të Superiores:

“Është një duel i veçantë, jemi të përgatitur për këtë ndeshje të madhe. Do të luajmë kundër Tiranës, një skuadre me përvojë dhe që mban vendin e parë në Superiore, ndaj na duhet të japim maksimumin. Ndryshe ndeshja nuk mund të flasë për ne.

Sa ndikon kjo sfidë në rrugën e titullit? Duhet të jemi realist, objektivi i klubit tonë është maksimal. Megjithatë, duhet t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Mendojmë vetëm për nesër, jemi të motivuar më tepër se 100 për qind për të marrë fitoren. Që nga dita e parë jemi duke ndërtuar Vlllazninë për trofe. Kur shoh sesi punojnë lojtarët, jam krenar me ta dhe them se nesër do të marrim më të mirën.

Humbja me Kukësin pas fitores së thellë ndaj Dinamos, çfarë ndryshoi? Në futboll gjërat janë të afërta, me Kukësin humbën dy mundësi shënimi të mira, pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Humbja me Kukësin ishte një mësim i mirë. Sidoqoftë, le të mos shohim pas, por të mendojmë për atë që na pret nesër.

Mënyra e lojës? Ne bazohemi te filozofia se çdokush duhet të mbrojë, por me idenë sesi të shënojmë. Synimi im në çdo ndeshje është që ekipi të jetë i balancuar. Në disa ndeshje ndikon edhe qasja taktike. Nesër duhet t’i mbajmë nën kontroll emocionet. Të bëjmë atë që dimë më mirë, të mbetemi gjithë lojën të përqendruar.

Pikat e forta të Tiranës? E kemi studiuar kundërshtarin, lojtarët e mi e dinë se duhet të mbrojmë të gjithë së bashku, të bëjmë presing në zona të caktuara. Jemi përgatitur për këtë ndeshje si në aspektin sulmues, edhe atë mbrojtës e psikologjik. Nesër duhet të tregoheni trima, Superliorja është kampionat i vështirë.

Na mungon kapiteni Gurishta, lojtar mjaft i rëndësishëm për ne. Dikush do ta zëvendësojë nesër, shpresoj të jetë në lartësinë e duhur të ndeshjes. Krymi do të luajë nesër, e ka kaluar dëmtimin.

A firmos për barazim? Objektivi është ta fitojmë këtë ndeshje. Ndihmë e madhe do të jenë tifozët tanë. Na duhet një atmosferë e mirë për të qenë maksimalisht të përqendruar. Hyjmë në fushë vetëm për fitore ndaj Tiranës”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit