Brdaric, gati “hakmarrja” ndaj Kukësit: Kemi nxjerrë mësime nga ndeshja e parë

14 Janar 2021
10:58
Alfred Lleshi
back button

Natyrisht që ka vend për hakmarrje sportive, sepse Kukësi i shkaktoi humbjen e parë në këtë kampionat. Të paktën kështu u shpreh së fundi kapiteni Gurishta, që për arsye kartonësh nuk do të jetë në gjendje të luajë nesër, ndaj nënkampionëve. Java e 14-të e Superiores mbart në vetvete një përballje të ethshme, Kukësi-Vllaznia, e cila do të luhet prej orës 18:00 në “Elbasan Arena”. Trajneri Thomas Brdaric doli në konferencë për shtyp, ku rolin e përkthyesit e bërë lojtari i tij, Arlind Kalaja. Ai nënvizoi mes të tjerash:

“Jam i gëzuar që nesër do të luajmë në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit, në një fushë mjaft të mirë. Po ashtu, jam shumë i lumtur teksa shikoj se lojtarët e mi janë të motivuar dhe gati. Mungesat? Ne kemi disa të tilla për nesër; Gurishta, Hoxhaj, Da Silva dhe Dunga. Ato nuk do të luajnë, por kemi futbollistë të tjerë, që mund t’i zëvendësojnë. Ata që do të luajnë janë gati për këtë takim.

Kundërshtari? I dimë aftësitë e Kukësit, por do të hyjmë në ndeshje për të marrë 3 pikët. E di që ata nuk po kalojnë momente të mira, por për mua kjo nuk ka rëndësi. Mendoj vetëm për sfidën e nesërme. Kemi mësuar nga gabimet e bëra nga ndeshja e parë me Kukësin dhe vijmë në këtë ballafaqim pas disa rezultateve të mira. Mezi pres të shikoj përmirësimet e skuadrës.

Vllaznia luan në sulm? Nuk luajmë me 11 portierë, që të mos luajmë në sulm. Afrimi i Cisse? Të gjithë e dinë që ne nuk kemi mundësi të marrim lojtarë, siç ka bërë Tirana apo ekipet e tjera. Cisse është një djalë i mirë, i duhet kohë për stërvitje dhe do të vendosim më vonë se çfarë do të bëjmë me të”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit