Brdaric i dërgon “selam” Teutës: Je në krizë, nesër do të të mundim!

2 Dhjetor 2021
12:11
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia ka tri pikë më shumë se durrsakët aktualisht. Për pasojë, kuqeblutë pozicionohen një vend më lart se kundërshtari i nesërm në klasifikimin e Superiores. Nënkampionët kundër kampionëve në fuqi, një mundësi për hakmarrje edhe për sezonin e kaluar. Kujtojmë se Teuta e fitoi titullin vetëm falë golaverazhit më të mirë, por me pikë të barabarta me shkodranët.

“Djemtë e detit” nuk do të kenë në krye trajnerin shkodran, Edi Martini, por ish-kapitenin Arapi. Kësisoji, pritet të jetë një sfidë edhe mes stolave respektivë. Para përballjes së nesërme në “Elbasan Arena”, ora 16:45, në kuadrin e javës së 11-të të Superiores, trajneri i Vllaznisë doli në konferencë për shtyp dhe nënvizoi:

“Duhet të jemi të përqendruar pas dy fitoreve radhazi. Duam të jemi të uritur dhe shpresojmë që të marrim rezultatin maksimal. Teuta është skuadra kampione, nga e kaluara konsiderohet skuadra më e mirë. Kohët e fundit ka patur disa ngërçe, por për mua nuk janë deçizive rezultatet e fundit të tyre. E dimë se çfarë është e aftë të bëjë Teuta, ne duhet të jemi gati ta përballojmë këtë gjë.

Për mua është e rëndësishme që të jemi të përgatitur për këtë ndeshje. E kemi analizuar Teutën dhe themi se ka një mënyrë të veçantë loje, ndaj dimë sesi duhet të përballemi me të. Për ne është mundësi e mirë që të shfrytëzojnë krizën e kundërshtarit, në mënyrë që të marrim 3 pikët.

Ajo që ka rëndësi është të jemi të fokusuar, të japim më të mirën tonë, pastaj gjërat e tjera do të vijnë vetë. Ndeshja në “Elbasan Arena”? Jemi gjithmonë të lumtur kur luajmë në një fushë me kushte shumë të mira. Mendoj se për të dyja ekipet është gjë e mirë që të luajnë aty.

Sulmi? Është gjë shumë e mirë që ne kemi disa lojtarë të ndryshëm, që bëjnë diferencën, por duhet të kujtojmë që kjo është punë grupi dhe duhet ta shfrytëzojmë gjithmonë këtë gjë. Besoj se jemi të plotë për ndeshjen e nesërme. Për shkak të motit mund të kemi ndonjë suprizë. Kushdo që do të zbresë në fushë do të jetë shumë i motivuar, kemi besim të madh te vetja jonë.

Presioni te Teuta apo te Vllaznia? Për mendimin tim, kyçe është forma që po kalojnë skuadrat, më pas vijnë disa aspekte të tjera. Ne do mundohemi të japim më të mirën tonë, nesër do të shkojmë në Elbasan për t’i shkaktuar humbje Teutës.

Atmosfera në grup është diçka e rëndësishme dhe për këtë gjë duhet të punohet. Siç dihet, ne do të shkojmë në Durrës për t’u stërvitur në mënyrën më të mirë. Përveç atmosferës janë edhe disa aspekte të tjera. Po përpiqemi së bashku me lojtarët që të marrim maksimumin”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit