Brdaric i përgjigjet me “zjarr” Dajës: Shih ekipin tënd, Vllaznia ka 5 pikë, ti asnjë fitore

1 Tetor 2021
15:21
Alfred Lleshi
back button

Pas barazimit me Partizanin, kuqeblutë e Shkodrës do të përballen me Skënderbeun në kuadrin e javës së katërt të Superiores. Trajneri Thomas Brdaric është ndalur në konferencën për shtyp te sfida e nesërme me korçarët, por iu është përgjigjur edhe disa “thumbimeve” të kolegut të tij të kuq, Ilir Daja, që tha dje se e dominuan totalisht Vllazninë:

“Ne po mendojmë për ndeshjen me Skënderbeun, të cilit nuk duhet t’i lejojmë hapësirat që kërkon. Besoj se jemi gati për këtë ndeshje të radhës. Na mungon Da Silva, ndërsa Fallu-Dianje do të luajë në një pozicion tjetër. Pra, do të bëjmë disa ndryshime nga ndeshja me Partizanin.

Sa i takon barazimit dhe komenteve për transfertën tonë me Partizanin, ishte një duel i fortë, sepse të dyja palët synuam fitoren. Ishin mirë në mbrojtje, por nga fundi i ndeshjes lamë hapësira në prapavijë dhe ata përfituan e barazuan.

Deklaratat e Ilir Dajës se na dominoi totalisht me lojë? Secili duhet të shohë ekipin e vet, ne kemi pesë pikë dhe ata ende asnjë fitore në katër ndeshje. Nëse arbitri nuk do kishte gabuar te goli për pozicionin jashtë loje, ne do të kishim marrë tri pikë dhe do të flisnim ndryshe.

Ajo shkoi dhe tani të përqendrohemi te Skënderbeu. Jemi një grup në zhvillim dhe do të kemi ulje-ngritjet tona. Synojmë që të bëhemi një ekip me vetëbesim dhe të rrisim nivelin e lojës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit