Brdaric iu kërkon falje tifozëve shkodranë, “kërcënon” hapur Partizanin

25 Shtator 2021
13:02
Alfred Lleshi

Thomas Brdaric nuk fshihet, përkundrazi. Në prag të sfidës delikate me të kuqtë, thotë se skuadra e tij është më e mirë se Partizani. Sidoqoftë, këtë do ta tregojë nesër fusha e “Elbasan Arena”. Ama, ka një fakt që e dëshmon Vllazninë si “macja e zezë” për të kuqtë. Pa shkuar larg, vetëm në sezonin e kaluar, konstatojmë se Partizani nuk ka asnjë fitore ndaj kuqebluve të Shkodrës.

Në konferencën për shtyp, Brdaric iu përgjigj interesimit të gazetarëve për këtë klasike të futbollit shqiptar: “Dua t’i kërkoj falje tifozërisë së Vllaznisë për deklaratat e mia në lidhje me rritjen e çmimeve të biletave. Nuk më takon mua të flas për rritjen apo jo, ishte një veprim i nxituar e për këtë gjë kërkoj falje”.

Humbja ndaj Labërisë, barazimi me Teutën, a ju rrezikohet stoli?
Ishim të ndërgjegjshëm për veprimin që bëmë ndaj Labërisë, pasi donim të luanim jo me formacionin e parë, sepse nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Kemi shumë futbollistë të uritur që duan të japin më të mirën e tyre dhe për t’u përballur me këtë është një sfidë e madhe edhe për ne, trajnerët. Kemi nevojë për të gjithë lojtarët që janë pjesë e kësaj skuadre. Duhet kohë për ta rindërtuar grupin. Ishte një veprim i rrezikshëm që futa në fushë shumë lojtarë të rinj ndaj labrëisë, por i nevojshëm për të pushuar disa titullarë. Luajtëm ndeshjen e parë ndaj Labërisë, por kualifikimi është i hapur, pasi kemi kthimin në shtëpi. Tani vëmendja jonë maksimale është te ndeshja e nesërme ndaj Partizanit”.

Cila është gjendja e skuadrës?
I kemi gati pothuajse të gjithë lojtarët. Edhe ata që do të futen në fushë, edhe të tjerët në stol janë shumë të urituar, besojnë më tepër se kolegët e Partizanit për të marrë fitoren.

A kanë ndikuar rezultatet e fundit te skuadra?
Jemi profesionistë dhe e dimë që futbolli ka ulje-ngritje. Kemi një javë që përgatitemi nga ana piskologjike dhe fizike për t’u përballur si duhet ndaj Partizanit. Mendoj se skuadra është stabilizuar, gati për të dielën në darkë. Shikoj më shumë avantazhe në krahun tonë.

Sa e njihni Partizanin?
E dimë që Partizani do të jetë shumë i motivuar për të luajtur ndaj nesh, por jemi një ekip i fortë. Nesër do të jetë një ndeshje me shumë rivalitet, por ne do të bëjmë maksimumin për të fituar. Duam ta fusim në presion kundërshtarin me mënyrën tonë. Pres më të mirën e mundshme, shpresoj të dalim me rezultat pozitiv.

Falja për tifozët?
Jam shumë i afërt me tifozët e Vllaznisë, kam një ndjeshmëri të madhe për ta. E dimë se kur fitojmë çdo gjë shkon mirë, kur humbasim njerëzit zhgënjehen. Është mirë që kërkoj falje, pasi ishte e nxitur deklarata nga ana ime. Kur bëra komenin e picës, javën e kaluar, nuk e dija që kishte kaq shumë diferenca. Jo çdo gjë që thashë ishte e saktë dhe për këtë arsye iu kërkoj falje tifozëve.

E keni kristalizuar formacionin për nesër?
Jemi akoma në përgatitje për ndeshjen e nesërme, por mendoj se nuk do të ketë shumë ndryshime në formacion. Kemi mundësi zgjedhjeje, ndaj kushdo që të luajë do të japë më shumë se maksimumin. Partizani është rival i madh, ndaj do ta kërkojë më çdo kusht fitoren.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit