Brdaric: Ndaj Partizanit, sfidë e madhe për ne, për qytetin dhe tifozët

7 Dhjetor 2021
14:37
Alfred Lleshi
back button

Vlerësim për kundërshtarin, por e thotë pa drojë se nesër kërkon vetëm fitoren. Trajneri Thomas Brdaric bëri prognozën e supersfidës së javës së 12-të të Superiores, Vllaznia-Partizani, e cila do të luhet nesër në “Loro Boriçi” prej orës 16:45. Nga konferenca për shtyp, njëshi i pankinës kuqeblu ftoi tifozët ta mbushin stadiumin, duke iu premtuar marrjen e tri pikëve:

“Nesër do të luhet një sfidë e madhe për ne, për qytetin dhe tifozët tanë. Duke qenë se luajmë në shtëpi, shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë të mundshme. Stërvitja në kalçeto? Nuk kemi kohë për t’u ankuar, e dimë tashmë se si janë kushtet. Kemi punuar nga ana psikologjike me lojtarët, jemi përqendruar vetëm te fitorja nesër.

Ky është qëllimi ynë i vetëm për momentin. Pikë së pari duhet të kuptojmë se po ndërtojmë Vllazninë e re dhe kjo gjë kërkon pak kohë. Çdokush e di që nuk kemi kushtet më të mira stërvitore, por tani nuk do të ankohemi për këtë gjë. Duhet të fokusohemi te gjërat kyçe.

Na mungon Aralica, por do të kërkojmë një zgjidhje tjetër. Kemi dy-tre lojtarë të gatshëm për atë rol, që kanë dëshirë për të luajtur. Ne si staf teknik do të zgjedhim formacionin, që mendojmë se është i duhuri për të luajtur nga fillimi.

Partizani? E njohim kundërshtarin, kemi një trend të mirë rezultativ ndaj tij. Megjithatë, nesër do të jetë një sfidë tjetër. Partizani ka pasur rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit, por ne do të futemi në fushë për të marrë fitoren. Sot e kryem stërvitjen në stadium, ku u morëm më shumë me mënyrën se si do të luajmë nesër.

Sigurisht që pjesëmarrja e tifozëve varet nga kushtet atmosferike në qytet, shpresoj që të jetë kohë e mirë. Unë e kam thënë gjithmonë se i jam falënderues çdo tifozi që vjen në stadium. Qoftë një tifoz të vijë apo shumë më tepër, unë sërish do t’i falënderoj dhe do t’iu jem shumë mirënjohës. Kuptohet, nëse stadiumi do të jetë i tejmbushur, kjo përbën shtysë të madhe për ne.

Merkatoja e dimrit? Nuk mendoj se është koha e duhur për të folur për të. Të përqendrohemi te ndeshja e nesërme. E di që është diçka e veçantë për ju për të folur rreth merkatos, megjithatë në kohën e duhur do të keni informacionet e duhura”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit