Brdaric nuk dorëzohet: Besoj 100% te përmbysja dhe kualifikimi

23 Korrik 2021
9:59
Alfred Lleshi
back button

Humbja minimale në Qipro i jep krejt të drejtën e botës Vllaznisë të besojë te kualifikimi, përderisa kthimi do të luhet në “Loro Boriçi” pas një jave dhe precedent është i freskët. Në shtëpi, kuqeblutë përmbysën disavantazhin 3-1 ndaj Siroki Brijeg. Të njëjtën gjë do të synojnë edhe ndaj AEL Limasol, ndaj të cilit i dallon vetëm një gol. Trajneri Thomas Brdaric tha pas ndeshjes së luajtur mbrëmë në Limasol:

“Jam besimplotë 100% për ndeshjen e dytë, sot skuadra tregoi një paraqitje të mirë. Edhe kur nuk e kishim topin, në minutat e fundit të pjesës së parë ne bëmë presing, nuk i lejuam të bënin lojë. Ata kanë lojtarë të mirë, me cilësi individuale dhe shënuan një gol në shtesë, por mund ta pranojmë një gjë të tillë.

Duhet të ishim më të vendosur në zonën kundërshtare. Krijuam 2-3 situata të mira. Skuadra bëri sot një punë të mirë, por shpesh duhet fat të gjesh rrugën e rrjetës. Mendoj se në përgjithësi është një eksperiencë e mirë për ne, në Shkodër do të jetë një ndeshje krejt ndryshe.

Problemet fizike? Nëse nuk je në 100% është e vështirë të luash futboll, por bëmë më të mirën dhe shpresoj që në javën e ardhshme, ndeshjen e kthimit, të gjithë të jenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Çoba dhe Paloka? Ne i mbështesim gjithmonë lojtarët që e meritojnë të luajnë, këtë vit mund të jetë ndryshe, pasi kemi cilësi te të rinjtë. Edhe ata duhet të mësojnë dhe të tregojnë përkushtim në stërvitje, të bëjnë maksimumin për t’u përmirësuar. Ne i kemi hedhur në fushë dhe ata duhet të shfaqen më profesionalisht”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit