Brdaric nuk fshihet fare: Dinamos do t’i shkaktojmë humbjen e radhës

17 Dhjetor 2021
8:30
Alfred Lleshi
back button

Sot, prej orës 19:45, në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja hapëse e javës së 14-të të Superiores. Dinamo-Vllaznia të kujton menjëherë rezultatin tenistik të fazës së parë, 6-1 në favor të kuqebluve. Së këndejmi mund të hamendësohet karikimi maksimal i bluve kryeqytetas për “hakmarrje”. Megjithatë, situata e tyre nuk premton shumë për këtë, madje as fitoren. Megjithatë, Thomas Brdaric nuk i beson krizës dinamovite, e shfaqur qartë në ndeshjet e fundit:

“Nesër do të jetë një ndeshje e veçantë, sepse të gjithë e shikojnë që Dinamo nuk po kalon një formë të mirë. Për mua nuk ka rëndësi sesi është gjendja momentale e kundërshtarit, pasi e di se çfarë mund të bëjë Dinamo me cilësitë që ka. Duhet të bëjmë paraqitjen tonë më të mirë për të fituar.

Na nderoi koha e mirë, sepse në të kaluarën nuk kemi pasur kushtet më të mira për të punuar. Është më e rehatshme për të punuar në diell dhe sot jemi stërvitur në stadiumin tonë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi gati për nesër.

Dinamo është një skuadër që ka lojtarë specialistë dhe me shumë eksperiencë. Fakti që ata nuk e kanë gjetur veten pas shumë muajsh është një avantazh për ne, por ngelet ajo që thashë që ne nuk duhet të frikësohemi fare. Duhet t’i shkaktojmë humbjen e radhës Dinamos.

4 pikë larg Tiranës? Do të kërkojmë të ngushtojmë diferencën me ekipet që kemi përpara. Tirana ka një ndeshje të vështirë me Teutën, kurse Kukësi ka një ndeshje të vështirë ndaj Partizanit në Shkodër. Ne duhet të jemi të përqendruar për të marrë maksimumin për të marrë 3 pikët e më pas të shikojmë rezultatet e skuadrave të tjera. Kampionati është i hapur.

Vllaznia në “Big Brother”? Kjo është pjesë e punës, më duket gjë e mirë për klubin që arrin të promovohet në emisione të tilla. Megjithatë, duhet të dimë t’i mbajmë të ndara pjesët brenda fushës dhe jashtë saj. Pjesa brenda fushës është më shumë e rëndësishme, ndërsa këto jashtë fusha janë gjëra të mira që klubi të promovohet”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit