Brdaric: Nuk nisemi nga renditja, asnjë nënvlerësim Skënderbeut

11 Dhjetor 2021
13:44
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 16:45, Vllaznia do të luajë në stadiumin e vet ndeshjen e javës së 13-të të Superiores. Mysafir në “Loro Boriçi” do të jetë Skënderbeu i vendeve të fundit. Kuqeblutë, pas fitores së çmuar ndaj Partizanit, synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive.

Në shënjestër është kreu, aktualisht 7 pikë larg. Për të gjitha këto ka folur sot në konferencën për shtyp Thomas Brdaric: “Ne jemi një ekip profesionist dhe është e nevojshme ta provojmë se nuk na mungon motivimi sa herë që luajmë futboll. Duhet ta vazhdojmë këtë trendin pozitiv të rezultateve dhe të përqendrohemi në gjërat thelbësore.

Mungesat e Krymit dhe Gurishtës? Mendoj se skuadra ka besim dhe e kam thënë disa herë se nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Janë disa lojtarë që nesër do të kenë shansin të luajnë nga fillimi, mezi e kanë pritur këtë mundësi. Tashmë, ata duhet të tregojnë se janë të aftë dhe se e meritojnë të jenë pjesë e skuadrës.

Kundërshtari? Për mua, Skënderbeu është një skuadër interesante, ka lojtarë interesantë. Ka zhvilluar ndeshje të mira, e dimë si duhet të përballemi me këto skuadra. Nesër duam ta mposhtim, nuk ka rëndësi se si Skënderbeu do të futet në fushë. Rëndësi ka të jemi të përqendruar dhe të shfaqim cilësitë tona më të mira.

Qëllimi ynë është të afrohemi me dy vendet e para, në të kaluarën e kemi humbur këtë mundësi. Nesër është një betejë tjetër, nuk do ta nënvlerësojmë Skënderbeun. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, do të kërkojmë fitoren patjetër”.

Një përgjigje kishte trajneri i Vllaznisë edhe për deklaratën e Ilir Dajës, që u ankua për fshehjen e topave jashtë fushës: “E kuptoj që ka qenë i nervozuar pas ndeshjes, por ky është një justifikim i ulët. Nuk dua t’i përgjigjem, duhet të jetë i fokusuar tek ekipi i tij. Edhe unë jam i përqendruar tek ekipi im”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit