Brdaric: Po u treguam naivë, nuk kemi shanse me AEL Limasol

21 Korrik 2021
8:20
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia ka mbërritur në Qipro, ku nesër në mbrëmje, prej orës 19:00, do të luajë ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të “Conference League”. Pas përmbysjes epike dhe kualifikimit ndaj Siroki Brijeg, kundërshtari tashmë është më i vështirë. Më konkretisht, AEL Limasol. Trajneri Thomas Brdaric doli në konferencë shtypi nga Shkodra, duke bërë prognozën e asaj që i pret kuqeblutë:

“Skuadra është gati për ndeshjen me AEL. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ta studiojmë kundërshtarin dhe mënyrën si luan. Kemi të bëjmë me një skuadër të mirë, në radhët e të cilës ka lojtarë me shumë cilësi. Gjithsesi, kanë edhe ato pikat e dobëta dhe do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty. Çdo kundërshtar është i vështirë. Në këtë fazë që kemi mbërritur duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Me Siroki Brijeg ndoshta kemi treguar pak naivitet.

Fatmirësisht edhe orari i ndeshjes tashmë është ndryshuar nga UEFA dhe kushtet do të jenë më të mira për të dyja skuadrat, që të zhvillojmë një takim të mirë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj AEL, kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë agresiv dhe sulmues. Kuptohet edhe atmosfera në stadium do të jetë në favorin e tyre.

Ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha këto dhe të japim më të mirën tonë, për të tentuar një rezultat sa më të mirë të mundshëm. Vetëm Da Silva nuk do të jetë i gatshëm, pasi është i dëmtuar. Të tjerët janë të gjithë në dispozicion dhe shpresoj që secili prej tyre të japë më të mirën, në këtë sfidë shumë të rëndësishme”. 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit