Nga Laçi te Laçi. Brenda pak ditësh, kuqeblutë e Shkodrës do të vihen sërish përballë kurbinasve. Të shtunën luajtën në transfertë, për llogari të javës së 27-të të Superiores, nesër do të dyluftojnë në “Loro Boriçi”, në kuadrin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Trajneri Thomas Brdaric doli në konferencë për shtyp dhe bëri këtë prognozë të përballjes së ethshme:
“Është një ndeshje kupe, si një finale, nuk luhet për pikë. Duhet kujdes, është vetëm një ndeshje dhe mund të shkojë më shumë se 90 minuta. Laçi është një ekip me eksperiencë dhe me cilësi, por edhe ne jemi të motivuar. Nëse fitojmë shkojmë në finale. Jemi përgatitur ndryshe për këtë duel dhe jemi gati të bëjmë më të mirën.
Duhet të përballemi me kundërshtarin me të njëjtën ego, është e vetmja mënyrë se si mund ta sfidosh Laçin. Duhet grintë dhe agresivitet. Strategjia që përdorëm së fundi në Laç ishte e duhura. Tani luajmë në “Loro Boriçi”, një ambient ndryshe dhe fushë më e madhe. Duhet të bëjmë diçka më ndryshe, por jemi të përgatitur.
Mungesat? Do ta shohim në seancën e fundit se kush do të jetë dhe kush jo. Lojtarët janë të motivuar, do të hedh në fushë ata që janë 100 për qind gati dhe të aftë për të na dhënë fitoren.
Kupa, rruga më e shkurtër për Europën? Ky është një opsion. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar dhe nuk do ta lëmë rastin të na ikë nga dora. E kuptoj që në Shkodër është e rëndësishme të shkojmë në Europë, ndaj do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për këtë, në Kupë dhe kampionat.
Penalltitë, Sherri kundër? Shoh ekipin tim, kemi mundësi të shënojmë. Duhet besim, i kemi cilësitë të shënojmë dhe të mbrohemi, për të mos i lënë asgjë fatit në dorë. Do mundohemi ta mbyllim në mënyrën më të mirë. E di që Sherri ka luajtur këtu dhe rikthehet në Shkodër. Ai ka shumë presion mbi shpatulla, sepse përballet me ish-ekipin. Jam i bindur se do t’i shënojmë nesër”.