Brdaric, “sparkatë” trajnerit të Kukësit: Longo i ndryshon shpesh mendimet e veta

22 Dhjetor 2021
14:31
Alfred Lleshi

Për momentin, dy skuadrat i ndajnë 3 pikë nga njëra-tjetra. Kukësi i dyti, ndërsa Vllaznia e katërta. Pra, një fitore e kuqebluve nesër në sfidën direkte i vendos këta të fundit në të njëjtën “gjatësi vale” me verilindorët. Këtë gjë e di mirë edhe Thomas Brdaric, i cili në konferencën për shtyp nënvizoi vetëm fitoren në “Loro Boriçi”:

“Ne duhet të jemi shumë të përgatitur për Kukësin, të cilin e presim në stadiumin tonë. Skuadra duket me shumë vetëbesim, e gatshme për të luajtur e përqendruar nesër. Qoftë ne, qoftë Kukësi jemi skuadra që luajmë futboll të hapur. Nesër dua më shumë siguri në mbrojtje, t’i tregojmë Kukësit se nuk jemi të lehtë për t’u mundur”.

Gazetarët e pyetën Brdaric edhe për deklaratën e kolegut te Kukësi, i cili veçoi Partizanin dhe Tiranën më të mirët në Superiore. Kryepankina e kuqebluve u kundërpërgjigj kështu: “Longo i ndryshon shpesh mendimet e veta. Për mua vendimtare është që të fitojmë nesër, pastaj secili mund të thotë çfarë të dojë.

Stadiumi “Loro Boriçi”, me fat për Kukësin? Të gjithë e shijojnë të luajturit këtu, sepse është një stadium i bukur. Ne të jemi të fokusuar të marrim më të mirën. Dua të them faleminderit për fansat, na kanë mbështetur shumë. Duhet të jemi krenarë për ta, t’i kënaqim me paraqitjet tona. Nesër duhet të marrim pikë edhe për ta.

Fitorja si dhuratë për fundviti? Nuk jam Zoti, jam trajner. Ajo që premtoj është të japim maksimumin dhe ta vëmë në presion Kukësin. Merkatoja e janarit? Kemi besim tek ekipi ynë, lojtarët janë të gatshëm për ta treguar veten. Nëse kemi boshllëqe jemi të hapur për merkato”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit