Brdaric: Tiranën s’e kemi frikë. Nesër, thjesht ndeshja e radhës

20 Nëntor 2020
12:42
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia kryeson Superioren, me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para të kampionatit. Nesër, skuadra shkodrane do të presë në “Loro Boriçi” Tiranën kampione, me trajner të ri, Nevil Dede. Në kahun tjetër drejton një emër i madh si futbollist, gjermani Tomas Brdaric. Në konferencën për shtyp, ai nënvizoi mes të tjerash:

“Sigurisht e njoh dhe e ndiej rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ne duhet të përqendrohemi në gjërat thelbësore dhe mos të shikojmë të kaluarën. Gjendja e skuadrës? Është shumë e mirë dhe me plot besim. Ne po punojmë shumë fort për të arritur objektivat tona. Fokusi ynë është te ndeshja e nesërme. Duhet të jemi të përqendruar, pasi luajmë ndaj kampionëve të Superligës. Për këtë arsye jemi shumë të motivuar.

Prova e parë e vërtetë për Vllazninë? Jo, nuk e mendoj kështu. Ne e kemi nisur mirë kampionatin dhe jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme. Çdo ndeshje për ne ka specifikën e vet. Kjo për ne është thjesht ndeshja e radhës. E di që për Shkodrën kjo nuk është një ndeshje e zakonshme, për shkaqe historike. Ne kemi shumë respekt për Tiranën, por jo frikë. Jemi përgatitur shumë mirë, kam një ndjesi pozitive dhe besoj se do të marrim 3 pikë në këtë sfidë.

Starti pozitiv i sezonit? Ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë, pasi nesër luajmë ndaj kampionëve në fuqi dhe duhet të kënaqemi në këtë takim.

Barazimi? Ne luajmë për 3 pikë dhe nuk futemi në fushë se çfarë ndodh pas ndeshjes. Do të jetë një ndeshje e fortë, unë e njoh mirë Tiranën. Kemi edhe një ditë kohë deri nesër dhe do të jemi të motivuar e të përqendruar. Nuk kemi përse të flasim shumë, por ta tregojmë veten në fushë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit