Brdaric: Titulli na dhemb ende, Superkupën e sjellim nesër në Shkodër

27 Gusht 2021
15:59
Alfred Lleshi
back button

Nesër do të luhet Superkupa e Shqipërisë, e cila shërben si njëlloj ngritje sipari edhe për sezonin e ri futbollistik në vend. Fituesit e titullit do të sfidojnë ata të Kupës së Shqipërisë. Në fakt, kampionët do të luajnë kundër nënkampionëve, që e mbyllën kampionatin e kaluar me pikë të barabarta.

Nisur nga ky fakt, kjo sfidë direkte do të jetë edhe njëlloj certifikimi se kush e meritoi më tepër titullin, Teuta apo Vllaznia. Këtë do ta zbulojë fusha e “Elbasan Arena”. Në prag të finales me durrsakët, trajneri kuqeblu, Thomas Brdaric doli para gazetarëve dhe u shpreh:

“Ne e dimë shumë mirë kush është Teuta. Është një ekip që ka fituar kampionatin vitin e kaluar, edhe ne jemi shumë të motivuar për të marrë maksimumin nga ndeshja. Do të mundohemi të japim më të mirën nesër dhe në fund tifozët tanë të krenohen me për përformancën që do të bëjmë.

Padyshim që do të ketë ndryshime. Sezonin e kaluar patëm një përformancë mjaft të mirë, tashmë do të jetë ndryshe. Gjithsesi jemi gati. Loja jonë do të ndryshojë, por do të mundohemi të kemi të njëjtat paraqitje. Titulli i humbur prej golaverazhit? Na dhemb akoma, por është një kapitull i ri tashmë.

Tifozët do të shohin një ndeshje mjaft të bukur nesër, sepse do të përballen dy nga ekipet më të mira të sezonit të kaluar. Teuta dhe Vllaznia, sigurisht që do të jenë prentendente edhe sivjet. Jam shumë i lumtur që Gurishta është këtu me ne, sepse është jo vetëm kapiten, por edhe shtylla e skuadrës. Është gjëja më e mirë që mund të kishim që ai të jetë me ne. Të gjithë janë të gatshëm.

Është e rëndësishme të japim maksimumin, të jemi të përqëndruar, të fokusuar dhe më pas frytet e punës sonë do të shihen me kalimin e kohës, gjatë gjithë sezonit.  Kemi punuar mirë në merkato. Ndoshta do të kemi një suprizë në ditët e ardhshme, por nuk mund të flas akoma. Gjithsesi, jam shumë i përqendruar te ndeshja e nesërme. Sigurisht, do të bëjmë gjithçka që trofeu të vijë në Shkodër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit