Brdariç: Vllaznia luan kudo për fitore, ja mesazhi për Edi Martinin

24 Nëntor 2020
11:39
Alfred Lleshi
back button

Tri ndeshje, tri fitore në kampionat. Vllaznia është skuadra e vetme me pikë të plota, duke kryesuar Superioren. Pas “provës zë zjarrit” me Tiranën, tashmë troket transferta e vështirë në Durrës. Kuqeblutë duhet t’i bëjnë llogaritë me një strateg shkodran kundër, në ndeshjen e nesërme ndaj Teutës. Trajneri Thomas Brdaric e ka cekur këtë fakt sot, në konferencën për shtyp, ku nënvizoi mes të tjerash:

“Transferta durrsake? Kemi marrë shumë përfitime nga ndeshja e fundit. Kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vijojmë me përgatitjet për të bërë mirë. Fitorja me Tiranën? Për ne dhe për zonën e Shkodrës ishte një ndeshje e mirë. Duhet ta dimë sesi do ta përdorim këtë rezultat. Ne e dimë se nga vijmë. Është ndeshja e parë e sezonit jashtë, kemi shumë pritshmëri. Duhet të vijojmë me këtë atmosferë pozitive. Askush nuk e priste që të merrnim tre fitore në fillim të sezonit.

Fokusi është te ndeshja e nesërme. Jemi mirë dhe të plotësuar si grup. E dimë se do jetë sfidë e vështirë. E mbyllëm kapitullin me Tiranën dhe tani po mendojmë për nesër. Normalisht, rritet presioni për ekipin që kryeson. Megjithatë, është mirë të kesh tension dhe presion në futboll, sepse të mban të fokusuar. Duhet të shkojmë te suksesi dhe jo të kemi frikë nga ajo që na pret.

Barazimi? Gjithmonë kjo pyetje. Ne jemi të gatshëm të shkojmë për fitore. Është ndeshje në transfertë dhe do të flasim pas lojës. Objektivi? Ne kemi ndërtuar një Vllazni të re dhe nuk jemi të kënaqur vetëm me pak. Duhet të vijojmë në këtë rrugë, të besojmë te vetja dhe me uri në fushë. Kudo luajmë për të fituar. Çdo sukses ka çmimin e vet. Duhet të kemi motivim dhe të rritemi si ekip. Mesazh për Edi Martinin? Jam në kontakt me të, kam marrëdhënie të mira. Edhe ai do të ketë sukses te Teuta. Jam këtu të stërvis lojtarët e mi, për të fituar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit