Brdaric: Vllaznia, trampolinë për më lart. Shkodra si landi i 17-të gjerman…

30 Prill 2021
12:18
Alfred Lleshi
back button

Thomas Brdaric, dikur trajner futbolli i FC Rot-Weiß Erfurt, dëshiron të hyjë në Ligën e Kampionëve me klubin e Superiores në Shqipëri, Vllaznia e Shkodrës. Kështu e nis shkrimin e saj për trajnerin aktual të kuqebluve media gjermane (tlz.de), e cila ka folur me kroato-gjermanin dhe ka publikuar këtë rrëfim të tij:

“Këtu ku jam kemi mangësi në kushtet stërvitore. Vetëm disa stadiume, si i yni dhe ai i Tiranës, mund të krahasohen me të Gjermanisë. Sidoqoftë, ka edhe nga ato gjëra që të bëjnë të ndihesh sikur je në një botë tjetër. Ndonjëherë duhet të marrësh rrugë të pakëndshme për të ecur përpara. Puna që bëj këtu është një sfidë, por kjo më jep forcë.

Entuziasmi dhe dëshira që kam gjetur në Shkodër më bëjnë të rris rendimentin dhe vullnetin tim në maksimum. Jam i lumtur shtova shpirtin luftarak brenda lojtarëve të mi. Eksperienca te Vllaznia? Një trampolinë për të gjithë ne, ndaj duhet të arrijmë sa më lart dhe të kapim liga më të mëdha.

Atmosfera në Shkodër? E ndiej veten si në Gjermani sa i përket tifozllëkut që bëhet këtu. Futbolli gjerman është shumë i adhuruar nga tifozët tanë. Shkodra është landi i 17-të gjerman… Njerëzit janë të çmendur pas kombëtares gjermane. Tomas Muller dhe Manuel Neuer janë heronj këtu.

Nga kush frymëzohem? Unë kam zhvilluar stilin tim, por jam gjithmonë i hapur për përmirësim. Kam pasur mësues të aftë si Ralf Rangnick dhe Christoph Daum. Tani po studioj Jurgen Klopp dhe Pep Guardiolën, më frymëzojnë të dy.

Marrëdhënia me djalin? Aspak e vështirë. I drejtohem atij si çdo lojtari tjetër. Në stërvitje e injoroj plotësisht faktin se është djali im. Tim është një lojtar i perspektivës, të cilin ende duhet ta prezantojmë në futbollin profesionist. Mundohem të jem një mbështetje për të, në mënyrë që t’i arrijë qëllimet e tij”.

Disa fjalë edhe për stilin e jetës që ka gjetur në Shkodër: “Në mbrëmje ulemi në shtëpi dhe shikojmë futboll ndërkombëtar, natyrisht ndeshjet e Bundesligës. Po e shijojmë natyrën e mrekullueshme. Më pëlqen të ulem në restorante në liqenin e Shkodrës për të konsumuar peshk të freskët. Kam mësuar të jetoj me kujdes, një mësim që kam marrë nga karriera ime si futbollist profesionist”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit