Bregu rigjen buzëqeshjen: Tre muaj jashtë, sa e vështirë!

25 Prill 2019
12:22
back button

Dejvi Bregu është ende shënuesi më i mirë i Skënderbeut, edhe pse në vitin 2019 një dëmtim e la jashtë deri në fund të marsit, ndërsa këtë muaj vlonjati ka nisur të luajë me kohë të plotë.

Fati ka qenë kundër tij, jo vetëm për sa i përket dëmtimit, por edhe pas rikthimit goli i është shmangur, herë për fat të keq, si në Gjirokastër, e herë për mrekullitë e Gentian Selmanit në Laç. Për këtë arsye, kur i shënoi Kukësit dje Bregu nuk festoi, por më shumë zbrazi nervat, pasi nuk është mësuar të qëndrojë kaq gjatë larg golit dhe të ndalet nga problemet fizike, që koinciduan me zhytjen e Skënderbeut, nga gara për titull në vendin e gjashtë, diçka e pabesueshme për klubin që ka dominuar Shqipërinë në dekadën e fundit.

Në intervistën për mediat pas ndeshjes, Bregu foli për momentin e tij, çlirimin pas golit të shënuar dhe objektivat e së ardhmes, me kupën në fokus…

KTHIMI TE GOLI – "Ishte një ndeshje që e kontrolloi Kukësi në pjesën e parë, më shumë për shkak të gabimeve tona. Megjithatë, në pjesën e dytë reaguam mirë dhe goli që shënuam lë gjithçka të hapur për në Korçë, ku do jetë histori tjetër".

FORMA E BREGUT – "Jam ende paksa mbrapa në aspektin fizik, tani e kuptoj sa e vështirë është të kapësh ritmin kur kthehesh nga një dëmtim 3-mujor. Duke qenë se po luajmë shumë ndeshje, shpresoj që të arrij formën më të mirë, si isha para janarit".

NDIKIMI I HUMBJES NË LAÇ – "Ka ndikuar psikologjikisht edhe tek unë, sepse sedra nuk më lë që t'i kaloj kaq shpejt momente të tilla, por kam mbështetje të madhe nga të gjithë dhe kam lënë gjithçka pas. Shpresoj që t'ua shpërblej tifozëve me gola të tjerë si ai i sotmi".

FESTIMI PAS GOLIT, ME ZBRAZJE DUFI – "Kishte ndikim paksa penalltia në Laç, por 90% ishte inat për muajt që kam kaluar jashtë fushe, duke parë ekipin dhe duke mos e ndihmuar dot ashtu si shpresoja".

BILANCI PERSONAL MBETET I MIRË – "Duke parë mungesën e gjatë për dëmtim, raporti minuta-gola ka qenë i mirë, por unë gjithnjë kërkoj më shumë nga vetja. Kemi ende disa ndeshje përpara dhe shpresoj të shënoj edhe më shumë, për ta mbyllur aty ku duhet".

KUPA, A E BËN POZITIV SEZONIN? – "Po, do ishte sezon pozitiv, sepse e nisëm me Superkupën dhe nëse fitojmë Kupën do ishte mbyllje shumë e mirë, pasi do siguronte edhe daljen në Europa League. Gjithsesi, më vjen keq që nuk e fituam sërish titullin, sepse në dy fazat e parë ishim shumë mirë dhe i kishim mundësitë për të luftuar për kreun. Kemi bërë shumë gabime gjatë rrugës, ky është pengu".

FLAMURTARI NË FUNDJAVË – "Nuk e kishim menduar deri tani, sepse e kemi pasur mendjen te Kukësi. Tani kthehemi në shtëpi, kemi një marsh më tepër sepse na duhen patjetër pikët dhe këtë ndeshje do të japim 200%, të gjithë, për renditjen dhe për moralin para kthimit në kupë ndaj Kukësit".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit