Bremer “driblon” Interin: Jam në klubin që doja, Juventusi do të thotë nivel shumë i lartë

16 Gusht 2022
12:51
Alfred Lleshi

Nëse për një sulmues, debutimi më i mirë i mundshëm do të thotë të shënojë dhe asistojë; për një mbrojtës mënyra ideale për të startuar me një ekip të ri është të mos lejojë kundërshtarin të prekë rrjetën e portës së vet.

Ja përse Gleison Bremer doli para gazetarëve me fytyrë të qeshur pas 3-0, fitore me të cilën Juventus inauguroi sezonin 2022-2023 ndaj Sassuolos. Mysafirët e kanë shqetësuar Mattia Perin në më shumë se një rast, por prapavija bardhezi nuk pati asnjë përplasje dhe nuk ishte dukshëm në vështirësi ndaj një kundërshtari si Sassuolo. Kini parasysh se ishte ndeshja e parë reale pa Chiellini dhe De Ligt në mbrojtje.

Për më tepër, për Bremerin, të mësuar me mbrojtjen me tre lojtarë të Torinos, këto janë ditë përshtatjeje me formacionin taktik me dy mbrojtës qendrorë të kërkuar nga Allegri. Sidoqoftë, mbrojtësi brazilian duket se nuk e vuan ndryshimin:

“Ishte e rëndësishme për të fituar dhe për të mos pësuar gol. Trajneri na flet gjithmonë për këtë, sepse e dimë që diçka ndodh pothuajse gjithmonë atje lart. Unë jam duke punuar për taktikat, por lojëra si kjo na japin besim”.

Bremer më pas foli për verën e këtij viti, në qendër të merkatos dhe pikën e kthesës që e pa atë të mbërrinte te Juventusi, pasi ishte i lidhur me Interin për një kohë të gjatë: “Gjithmonë kam dëgjuar agjentin tim, por nuk e dija se me cilin ekip po fliste ai.

E vetmja gjë që dija ishte se do të largohesha nag Torino. Më në fund arrita në klubin që doja dhe ku jam mjaft mirë. Po kënaqem me Allegrin. Të jesh te Juventusi do të thotë të jesh në një nivel shumë të lartë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit