Britanikët ende mendojnë për finalen e “Wembley”. Korrupsion dhe ryshfet, thellohet skandali…

14 Maj 2022
12:39
Alfred Lleshi
back button

Pothuajse një vit ka kaluar nga nata magjike e “Wembley”, e cila pa Italinë të triumfonte kundër Anglisë në finalen e “Euro 2020”. Pavarësisht parashikimeve, pavarësisht se motoja “po vjen në shtëpi” përsëritej kudo, “Wembley” i mbushur plotësisht që festonte triumfin mbeti i heshtur në fund.

“Tre Luanët” dështuan me penallti, ndërsa blutë e Mancinit ngritën kupën para 60 mijë tifozëve, kryesisht anglezë. Se sa spektatorë morën pjesë vërtet në triumfin e axurrëve atë mbrëmje nuk do të dihet kurrë, të paktën sipas një investigimi të publikuar nga “Daily Mail”, që po heton “problemet serioze të sigurisë” të objektit në Londër dhe madje flet për “korrupsion e ryshfet”.

Më 11 korrik, rreth dy mijë tifozë kishin arritur të hynin pa biletë për të ndjekur finalen e Kampionatit Evropian. Problemet u përsëritën aq shumë, sa një kompani që ofronte staf për finalen e “FA Cup” mes Chelsea dhe Liverpool do të pezullohej, pasi një hetim i “Sportsmail” zbuloi “vrima” alarmante sigurie.

“FA ka nisur një hetim urgjent, – ​​shkruan edicioni sportiv i tabloidit britanik, – pasi investigimi ynë i fshehtë zbuloi probleme sigurie në tri evente të fundit të zhvilluara në stadiumin kombëtar”.

Një reporter i fshehtë punonte si stjuard i stadiumit dhe raportoi mangësi serioze sigurie. Ai jo vetëm që do të ishte në gjendje ta merrte vendin e punës, pavarësisht se aplikimi i tij përmbante të dhëna të rreme, por do të ishte i pambikëqyrur për orë të tëra dhe askush nuk do t’i kontrollonte çantën përpara se të hynte.

Përveç kësaj, atij do t’i ishte ofruar një ryshfet prej një mijë paund për të hyrë në zonën VIP. “Stjuardët e tjerë, – shkruan “Daily Mail”, – kanë rrëfyer se i kanë pranuar paratë”.

“Ne kemi nisur tashmë një hetim për këtë çështje dhe kemi pezulluar kontraktorin përgjegjës për administrimin në pritje të rezultatit të këtij hetimi,” – komentoi një zëdhënës i “Wembley”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit