Broja jep kushtrimin para Izraelit: Luaj futboll qysh 3 vjeç, të japim gjithçka për objektivin

22 Shtator 2022
14:18
Alfred Lleshi
back button

Sytë janë nga ai, si referenca kryesore e sulmit kuqezi për sot dhe të ardhmen. Është 21 vjeç, luan me Chelsea, vjen nga një sezon (i kaluari) mbresëlënës në Premier League me Southampton, ku luajti i huazuar, ndaj nuk ka kush tjetër kredenciale më të mira në kampin kuqezi.

Fjala është për Armando Brojën, i cili ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur në prag të dy sfidave përmbyllëse të edicionit në Ligën e Kombeve: transfertës me Irzaelin (24 shtator) dhe duelit me Islandën në “Arena Kombëtare” (27 shtator)”:

“Mendimi im është se këto ndeshje janë të rëndësishme dhe duhen 6 pikë. Trajneri e bën formacionin, siç e tha Laçi. Ai ka aplikuar në stërvitje disa skema për ta fituar ndeshjen. Inshallah fitojmë 3 pikët në Izrael. Më e rëndësishme është të marrim 3 pikët, jo loja.

Titullar? Nuk e di, do të shohim. I bën trajneri zgjedhjet. Nëse më aktivizon, do të jap maksimumin. Shpresojmë të dalim me 3 pikë nag transferta me Izraelin. E dijmë që do të jetë ndeshje e vështirë. Ky kundërshtar na mposhti edhe në Tiranë 2-1.

Na duhet fitore për objektivin dhe shpresojmë të marrim më të mirën. Për mua s’ka shumë presion se po luajmë për qej, për fitore. Kam luajtur qysh 3 vjeç futboll. Dua të ndihmoj kombëtaren.

Gjithmonë jam në formë. Po bëj stërvitje çdo ditë. Ne e dimë që është e vështirë të luash shumë te Chelsea, nuk është si te Southampton. Jam mirë fizikisht, po vazhdojmë të stërvitemi si skuadër. Vetëm fitorja na bën punë ndaj Izraelit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit