Broja, lamtumirë emocionuese nga Southampton. Ylli shqiptar, gati për ta merituar Chelsea

23 Maj 2022
12:31
Alfred Lleshi
back button

Armando Broja i ka thënë zyrtarisht lamtumirë Southamptonit. Pas një viti huazim në këtë klub të Premier League, ku shënoi 9 gola dhe dëshmoi talentin e patëmetë, sulmuesi shqiptar do të kthehet te Chelsea për momentin.

Të paktën për fazën përgatitore parasezonale, siç ka thënë trajneri Thomas Tuchel, i cili do ta shohë 20-vjeçarin në veprim dhe më pas do të vendosë; ta mbajë, ta huazojë apo ta shesë. Vetë Broja, përmes rrjeteve sociale ka shkruar ditën e sotme:

“Unë thjesht dua të filloj duke thënë se çfarë sezoni i mrekullueshëm ishte për mua dhe familjen time personalisht. Një sezon plot me ulje dhe ngritje, por kisha pas vetes familje dhe njerëz të mrekullueshëm që më ndihmuan t’i kaloja pengesat.

Dua të them gjithashtu një faleminderit të madhe për Southampton dhe fansat e mrekullueshëm që më mbështetën dhe kishin besim tek unë që të tregoja atë që mund të bëj. Unë e vlerësoj të gjithë mbështetjen dhe dashurinë që treguat për mua dhe ekipin. Së fundi dua t’ju them shumë faleminderit bashkëlojtarëve, djemve që më mësuat kaq shumë këtë vit.

Më pëlqeu çdo minutë me ju djem, ishte sinqerisht diçka e veçantë për mua. Ju nuk jeni bërë vetëm vëllezër me mua, por edhe familje e imja. Do të më mungoni djema!”

Ja çfarë shkruante para pak ditësh media prestigjioze
“Goal.com” i ka kushtuar një shkrim të veçantë Armando Brojës, sulmuesit të kombëtares sonë kuqezi: “Ylli i huazuar i Chelsea, Armando Broja po tërheq interes nga gjigantët e Serie A; Milan, Inter dhe Napoli, së bashku me skuadrat e Premier League, Newcastle, West Ham dhe Southampton.

Blutë e Londrës do të përballen me një zgjedhje këtë verë, nëse do t’i japin 20-vjeçarit një shans në ekipin e parë apo do ta lënë atë të largohet për një shumë të madhe. Me siguri, Chelsea gjendet përpara një ‘lufte’ të mundshme ofertash për shqiptarin.

Pikëpamja e Thomas Tuchel do të jetë kyçe për të ardhmen afatgjatë të Brojës, të cilit i ofrohet futbolli i ekipit të parë diku tjetër. I rritur diplomuari te ‘Cobham’ (academia e Chelsea), Broja ka performuar mirë në sezonin e tij të parë si huazim në Premier League te Southampton, duke shënuar 9 herë në 38 paraqitje, në të gjitha garat.

Ai pason një sezon huazimi te Vitesse, ku u bë ‘adoleshenti’ me golat më të rëndësishëm në 10 ligat më të mira të Evropës. Mbetet e paqartë se sa do të kushtonte Broja për të nënshkruar me të, por disa raporte e kanë vlerësuar në rreth 25 milionë £ (31 milionë dollarë). Sulmuesi ka një kontratë në ‘Stamford Bridge’ deri në vitin 2026.

Duke folur së fundmi për të huazuarit e tij, Tuchel dha pikëpamjen e tij se çfarë do t’i duhet Brojës, së bashku me Conor Gallagher të Crystal Palace, për të luajtur te Chelsea sezonin e ardhshëm:

Së pari, ata do të kthehen, sepse janë lojtarët tanë. Kur i japim në huazim, ne e bëjmë këtë për ta, por edhe për klubin, që të kemi lojtarë më të mirë dhe më me përvojë. Ata janë lojtarët tanë dhe unë dua t’i kem në përgatitjet parasezonale. Më pas do të vendosim ne se çfarë do të ndodhë.

E ardhmja është shumë e lidhur me ta, me mënyrën se si integrohen dhe çfarë bëjnë, si dhe cilat janë idetë tona për ta dhe çfarë duan të arrijnë. Është e lidhur ngushtë me sanksionet ndaj nesh, situatën rreth klubit.

Është shumë herët për të parashikuar të ardhmen për ta, duke pasur parasysh rolin e të gjithë sezonit, por do të kthehen për përgatitjet parasezonale, kjo është e sigurt.

Trajneri gjerman dha më shumë detaje për pikëpamjen e tij mbi Brojën në janar: Armando po bëhet gjithnjë e më i mirë. Ai është një lojtar shumë unik, me disa pika të forta në lojën e tij. Shpejtësia e tij, është i fortë. Ai është një golashënues.

Gjithçka që bën Chelsea në sulm këtë verë do të varet nga shitja e lojtarëve, me sulmuesit e klubit që tashmë kanë ndarë minuta të kufizuara mes tyre. Blutë kanë luftuar edhe një herë për të krijuar një sulm të rrjedhshëm golash, gjë që ka qenë faktor në dështimin e tyre për titull kundër Manchester City dhe Liverpool.

Edhe pse Romelu Lukaku përflitet se do të rikthehet në Itali, ai po fokusohet në përfundimin e fuqishëm të sezonit 2021-2022 përpara bisedimeve për fundin e sezonit me Tuchel. Timo Werner po tërheq interesim nga Borussia Dortmund, ka dyshime edhe rreth Christian Pulisic, pasi babai i tij u ankua për moszgjedhjen e tij së fundi në rrjetet sociale”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit