Brojës i kujtojnë gomonet me shqiptarë drejt Anglisë në konferencën për shtyp: Krenar që i kam rrënjët nga ai vend i mrekullueshëm

2 Nëntor 2022
8:16
Alfred Lleshi
back button

Armando Broja bëri përshtypje mjaft pozitive sezonin e kaluar, i huazuar te Southampton në Premier League, duke shënuar 6 gola në 32 ndeshje. 21-vjeçari shqiptar ishte lidhur me disa klube angleze, por jo vetëm gjatë verës, por zgjodhi të qëndronte në “Stamford Bridge” dhe përfundoi duke nënshkruar një kontratë të re 6-vjeçare. Ai zgjodhi të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij në formacionin e skuadrës së Londrës perendimore.

Broja përparoi në akademinë e bluve dhe e përshkruan Chelsea si klubin e tij të fëmijërisë. Sulmuesi i lindur në Slough regjistroi golin e tij të parë te Chelsea në fitoren 3-0 ndaj Wolves, muajin e kaluar. Ky ka qenë goli i vetëm i Brojës në 14 paraqitjet e këtij sezoni, megjithëse ka bërë vetëm një start dhe është kufizuar në 272 minuta lojë në total.

Në prag të ndeshjes së sotme të Champions League kundër Dinamo Zagrebit, në konferencën për shtyp doli edhe shqiptari, i cili hodhi dritë mbi zërat e verës për transferimin e tij diku tjetër, si shkoi drejt rinovimit me Chelsea, objektivat në “Stamford Bridge” dhe prejardhjen e tij shqiptare.

Armando, kur Thomas Tuchel foli për ty dhe u përpoq të të jepte mundësi, u përmend edhe një huazim tjetër juaji nga Chelsea…
Sigurisht, të gjithë e dinë se Chelsea është një nga klubet më të mira të futbollit në botë, kështu që do të jetë gjithmonë e vështirë të futesh në këtë ekip dhe të përpiqesh të performosh për këtë ekip. Isha shumë i emocionuar që luaja për herë të parë në Premier League dhe ndjeva se ishte një hap shumë i mirë për mua, por tani të ngjis hierarkitë te Chelsea është një gjë më e madhe. Mundësitë dhe shanset që marr do të përpiqem t’i shfrytëzoj duke performuar sa më mirë në fushë dhe në stërvitje. Në fund të fundit do të jetë gjithmonë e vështirë në një klub si Chelsea, konkurrenca këtu është shumë e madhe. E di që nuk do të jetë e lehtë, por do të përpiqem t’i kapërcej vështirësitë. Është diçka që më pëlqen ta bëj.

Kur i merrni ato mundësi, çfarë keni në mendjen tuaj?
Unë jam një futbollist që luaj mjaft lirshëm. Më pëlqen të luaj futboll, kështu që kur trajneri më beson të hyj në fushë dhe të ndihmoj skuadrën, përpiqem ta bëj atë. Përpiqem ta ndihmoj skuadrën me ndonjë gol, asiste ose thjesht duke luajtur mirë dhe duke u përpjekur të krijoj raste për ekipin. Kur hidhesh në fushë, thjesht duhet të përpiqesh të japësh më të mirën për ekipin.

Kur shënuat golin tuaj të parë kundër Wolves, festuat me babin tuaj. Çfarë planesh keni për golin e parë në Champions League?
Do të shohim. Shpresoj se mund të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën. Nuk kam ndonjë plan festimi për momentin. Do të shohim në momentin e lojës. Varet nga trajneri çfarë formacioni do të zgjedhë. Nëse do të startoj do të jap maksimumin tim, si gjithmonë për klubin.

Ju keni marrë pjesë në të gjitha ndeshjet, përveç njërës, që kur Graham Potter erdhi trajner. Sa i inkurajuar keni qenë?
Shumë lojtarë të rinj mund të mërziten me kohën e paktë të të luajturit, por unë përpiqem të shikoj anët pozitive nga kjo. Përpiqem të zhvillohem si futbollist dhe si njeri çdo ditë, duke punuar me futbollistë të mëdhenj. Mundohem të jap maksimumin në stërvitje dhe pres me padurim mundësitë që trajneri më jep të luaj, të përfitoj sa më shumë. Është një gjë inkurajuese për mua, kjo tregon se trajneri më beson të hyj në fushë dhe të ndikoj në ndeshje. Unë thjesht përpiqem të ndihmoj sa më shumë që mundem.

Për të ardhmen tuaj u fol shumë gjatë verës, lëvizja tek West Ham dukej se mund të ndodhte, por në fund ju nënshkruat një kontratë 6-vjeçare me Chelsea…
Gjithmonë flitet nga media, të dërgojnë në çdo klub gjatë merkatos. Unë isha i fokusuar në përpjekjen për të qenë gati për sezonin e ri, duke u përgatitur në stërvitjet parasezonale. U përpoqa t’i tregoja trajnerit se çfarë mund të bëja për klubin, doja t’i bëja vend vetes te Chelsea. Nuk isha shumë i shqetësuar për atë që po ndodhte jashtë futbollit, isha më shumë i përqendruar te vetja. Doja të isha gati për sezonin dhe të jepja më të mirën nga vetja. Nuk isha i preokupuar se çfarë po ndodhte nga jashtë.

A e keni parë ndonjëherë si bixhoz nënshkrimin e një kontrate kaq të gjatë?
E shoh si një mundësi për mua, për familjen time. Ky është klubi im i fëmijërisë, më pëlqen të luaj për Chelsea, për tifozët dhe klubin. Do të bëj më të mirën dhe do të jap gjithçka për të hyrë në formacionin ftitullar. Është një hap i madh nga vendi ku isha sezonin e kaluar deri ku jam tani. Unë thjesht dua të vazhdoj të përmirësohem si lojtar dhe si person, gjithashtu. Ky është qëllimi im, të bëhem më i mirë. Nuk ka shumë klube më të mira për të mësuar se Chelsea.

Ju keni prindër shqiptarë dhe kohët e fundit, njerëzit nga vendi juaj janë përballur me vështirësi në lidhje me çështjen e emigracionit në këtë vend. Jam kurioz si ndiheni ju, një djalë i ri shqiptar që u rrit në këtë vend?
Nuk i kam lexuar vërtet këto gjëra, se çfarë po ndodh, por gjithmonë ndihem krenar që jam nga Shqipëria. Prindërit e mi janë të dy nga Shqipëria, edhe origjina ime është nga atje. Më pëlqen të jem nga ai vend dhe të luaj për ekipin kombëtar shqiptar. Ky është një nder i madh për mua. Mund të flas vetëm për veten time, jam krenar që i kam rrënjët nga ai vend i mrekullueshëm.

Objektivi kryesor është të përmirësoni statusin tuaj, por a merrni ndonjë motivim për të luajtur kundër një prej skuadrave më të mira të Evropës nga është familja juaj?
Jo, në të vërtetë. Ndjej se çdo lojë është po aq e rëndësishme sa të gjitha të tjerat. Nuk ka shumë rëndësi cili është kundërshtari, vlen vetëm performanca jonë. Nëse paraqitemi ndaj Dinamos së Zagrebit ashtu siç jemi stërvitur dy ditët e fundit, do të marrim rezultat pozitiv. Jemi të fokusuar tek ekipi ynë. Ne e dimë se do të jetë një lojë e vështirë, e dimë se kroatët kanë ekip të mirë, por do të fokusohemi te vetja dhe do të përpiqemi të marrim tri pikët e të shkojmë në fazën me eliminim direkt.

Si e kujtoni Dinamon si ekip?
Ne e dimë se janë një klub i mirë, se kanë diçka për të luftuar pasi po përpiqen të kualifikohen në Ligën e Evropës. E dimë se do të jetë e vështirë, por siç thashë, ne jemi të fokusuar te vetja dhe çfarë mund të bëjmë gjatë lojës. Do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen.

A prisni që kroatët të luajnë në të njëjtën mënyrë si ndeshjen e parë?
Nuk jam shumë i sigurt, nuk jam trajneri i tyre. Do të shohim se çfarë do të bëjnë, por ne jemi gati për gjithçka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit