Buffon: Ende ndihem i fortë, kjo është arsyeja pse i thashë “po” PSG-së

16 Shtator 2021
13:54
Alfred Lleshi

Gigi Buffon, portieri aktual i Parmës, foli për veten në një intervistë të gjatë me “BeInSports”. Portieri gjithashtu trajtoi çështjen e së ardhmes së tij në botën e futbollit, pas atij që mund të jetë sezoni i fundit si lojtar: “Të jesh trajner është diçka që do ta doja, më shumë sesa të bëja menaxherin”.

Në lidhje me të tashmen e tij, megjithatë, Buffon theksoi se ishte ende shumë i motivuar: “Unë luaj sepse ndihem shumë mirë. Ende jam një portier i fortë dhe shumë i dobishëm për shokët e mi të skuadrës. Kjo është arsyeja pse zgjodha për t’u kthyer te Parma, të sillja eksperiencë, vlera dhe emocione. E di që mund të jap më të mirën. Parma ishte zgjidhja më e mirë për të vazhduar të performoj në një nivel të lartë”.

Dhe të mendosh se tri vite më parë ai rrezikoi të thoshte lamtumirë: “Një ditë, tri vite më parë, në fund të marsit, në Torino më pyesin: a ke vendosur të heqësh dorë? Unë them po, është e drejtë. Për shaka shtoj: nëse më duan PSG, Real Madrid ose Barcelona, ndoshta d’i marr parasysh. Dhe pas 20 ditësh më kërkoi PSG dhe i thashë po. Isha i magjepsur nga një ekip me aq shumë potencial në Ligën e Kampionëve dhe ky ishte një stimul i rëndësishëm, plus që mund të kisha një përvojë jashtë Italisë dhe mund të vazhdoja të luaja në nivele shumë të larta”.

Tema e atij momenti në Real Madrid-Juventus në “Bernabeu” trajtohet gjithashtu prej tij: “E mbaj mend shumë mirë atë mbrëmje. Ishte momenti kur isha më krenar si kapiten i ekipit tim. Ai grup lojtarësh ishte i fortë, me guxim dhe shpirt luftarak, për pak bëri përmbysjen e madhe. Kur shkuam në Madrid kishim forcën për ta përmbysur disavantazhin e ndeshjes së parë. Ndjenjë më të mirë nuk kisha përjetuar më parë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit