Buffon sfidon me fanellën e djalit të Maldinit: Tani po pres nipërit dhe mbesat… (video)

14 Shkurt 2020
9:34
Alfred Lleshi

Debutimin e tij në Serie A e bëri më 19 nëntor 1995, në një ndeshje ku mbrojti portën e Parmës kundër Milanit. Shumë nga kolegët e tij të sotëm kuqezinj mbase nuk kishin lindur ende, por të enjten në mbrëmje, 24 vite më vonë, Buffon luajti një sfidë tjetër në nivele të larta. Edhe barazimi i mbrëmshëm në “San Siro” i shtohet karrierës së tij të jashtëzakonshme. Kësaj radhe, ai shkëlqeu kundër Milanit, në Kupën e Italisë.

Gigi Buffon jo vetëm që nuk ka dëshirë “t’i varë dorezat në gozhdë”, në moshën 42-vjeçare, por vazhdon të mbetet një portier me performancë të qëndrueshme dhe të shkëlqyer. Ai ishte ndër më të mirët në fushë, duke ndihmuar Juven e tij të marrë në shtëpi një barazim të çmuar. Nëse ditën e debutimit të tij në Serie A, në fushë kishte si kundërshtar të madhin Paolo Maldini, të enjten në mbrëmje, flamuri bardhezi e pa veten duke sfiduar Daniel Maldini, i cili qëndroi në stol, por në Milano vazhdon historinë e një dinastie unike.

Në fund të ndeshjes, Buffon i mori fanellën 18- vjeçarit. I intervistuar nga gazetarët e pranishëm, ai shpjegoi plot lumturi arsyen e këtij veprimi:

“Kjo është bluza e Maldini, birit të Paolo. Unë vetë ia kërkova atë. Jam shumë i lumtur që e mora, sepse në koleksionin tim, përveç fanellës së Chiesa dhe të birit, Thuram dhe djalit të tij, Weah dhe të birit, tani kam edhe dy Maldinët, babain dhe të birin. Prandaj, tani jam në pritje të nipërve të tyre. Kur ata të jenë duke luajtur, unë prapë do të jem këtu, në “San Siro”, në mes të fushës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit