“Burnley antifutboll”, vjen përgjigjja fantastike e trajnerit që tërboi Chelsean

24 Prill 2019
10:58
back button

Të hënën në mbrëmje Chelsea u ndal në barazim 2-2 nga Burnley në Stamford Bridge, në një ndeshje ku sulmet e shumta të Bluve u ndalën në murin mbrojtës të Burnleyt. Në fund të ndeshjes pati skena të shëmtuara, sepse nervozizmi i lojtarëve dhe stafit të Chelseat ishte i dukshëm, për dy pikë të lëna që mund të kushtojnë shumë shtrenjtë në fund të sezonit.

Pas ndeshjes mbrojtësi David Luiz sulmoi ashpër Burnleyn: "Bëmë gjithçka për të fituar, por Burnley luajti antifutboll. Ata vetëm mundoheshin të vononin lojën, sidomos kur e kishim ne topin, ndaj është e vështirë të shënosh ndaj skuadrave të tilla, që luajnë me 11 lojtarë në 30 metrat e fundit".

Pas ndeshjes trajneri i Burnleyt Sean Dyche u ngacmua për deklaratën e David Luiz dhe reagimi i tij ishte fantastik: "Ne antifutboll? Gjithë ekipi ynë paguhet 58 milionë sterlina në vit, u marrim maksimumin lojtarëve për të gjetur një mënyrë për të arritur në kuotën e 40 pikëve në Premier League dhe jam shumë i kënaqur, për të qenë i ndershëm".

"Kemi marrë 28 pikë në 16 ndeshjet e fundit të kampionatit, nuk mund të grumbullohet aq me pikë me antifutboll. Duhet të luash pak futboll, për të grumbulluar aq shumë pikë. Vonuam lojën? Sapo e bëmë diçka të tillë, Tom Heaton mori karton të verdhë. Ishte minuta e 32-të, rekord sezonal besoj. Më pas nuk mund ta vonosh më lojën, është e pamundur", vijoi Dyche.

"Ishte ndeshja e 48-të e sezonit, lojtarët po binin në tokë nga dhimbjet dhe lodhja, nuk e di si mund të vihet në dyshim kjo. Ne nuk kemi cilësitë teknike të skuadrave të kreut, bëjmë sa mundemi për të pasur sukses në Premier League. Në fund morëm një pikë dhe tifozët ishin të lumtur duke parë një skuadër që luftoi për 90 minuta për atë pikë".

Chelsea luajti në të njëjtën mënyrë si Burnley, kur u ndesh me Manchester City në finalen e Kupës së Ligës, ndërsa Dyche reagon: "Chelsea mund të thotë ç'të dojë, secili ka të drejtë të japë mendimin e vet. Nëse arrin të kesh në ekip lojtarët që ka Chelsea, edhe unë do doja të bënim futboll të bukur dhe 600 pasime për ndeshje, duke fituar çdo takim, por nuk është aq e thjeshtë".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit